Futbolli anglez njihet për intensitetin, organizimin dhe cilësinë e lartë, veçanërisht në Premier League, kampionatin më të fortë në botë. Por, disa kategori më poshtë, ndodhin edhe skena që sfidojnë çdo logjikë futbolli.

Një prej tyre ka ardhur nga League One, kategoria e tretë e futbollit anglez, në përballjen mes Stockport dhe Rotherham, e fituar 3-2 nga skuadra vendase.

Ndeshja prodhoi plot tre autogola, por ai i shënuar nga skuadra mike ka marrë vëmendjen e të gjithëve për shkak të mënyrës absolutisht të pazakontë.

Portieri i Stockport, Ben Hinchliffe, tentoi të riniste shpejt lojën pas një aksioni në zonën e tij. Në një moment të pabesueshëm, topi u përplas në prapanicën e shokut të skuadrës, Joseph Olowu, për t’u kthyer më pas drejt portës dhe përfunduar në rrjetë.

Ky episod i rrallë solli barazimin e përkohshëm 1-1, ndërsa pamjet janë bërë virale në rrjetet sociale, duke u cilësuar nga tifozët si një nga autogolat më qesharakë dhe të çuditshëm të sezonit.

Pamjet e incidentit po qarkullojnë masivisht online dhe tashmë janë kthyer në një nga momentet më të komentuara të fundjavës në futbollin anglez.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu