
Kryetari i partisë “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj, ka bërë thirrje për protestë qytetare ditën e nesërme në orën 18:00, përpara Kryeministrisë, duke ftuar të gjithë ata që, sipas tij, përballen çdo ditë me padrejtësi dhe abuzime nga shteti.
Në një deklaratë për mediat, Lapaj u bëri thirrje qytetarëve që vuajnë nga largimi i fëmijëve jashtë vendit, përmbytjet, shembjet e pronave, mungesa e ilaçeve në spitale dhe presioni i tatimeve, të cilat ai i cilësoi si “gjobaxhinj që mbajnë uniformën e shtetit”, të bashkohen në protestë.
“Ata që janë përmbytur në muajt e fundit duhet të pyesin veten nëse duhet të çohen të protestojnë kundër kësaj qeverie. Ata që u largohen fëmijët duhet të pyesin veten nëse duhet të protestojnë përballë kapjes së shtetit. Ata që u prishen pronat përtej çdo logjike dhe ligji duhet të bashkohen dhe të reagojnë”, u shpreh Lapaj.
Ai theksoi se qytetarët nuk duhet të mjaftohen vetëm me ankesa, por të dalin në protestë përballë padrejtësive që, sipas tij, po i shtyjnë shqiptarët drejt emigrimit.
“Ata që shkojnë në spital dhe nuk gjejnë ilaçe, ata që përballen me tatimet dhe padrejtësinë e gjobaxhinjve me uniformë shteti, duhet të pyesin veten nëse ja vlen të ikin pa luftuar për ta ndryshuar këtë vend”, tha Lapaj.
Lapaj akuzoi drejtpërdrejt kryeministrin Edi Rama, duke e cilësuar si “regjisorin e një sistemi të kapur nga narkotrafiku”, i cili sipas tij e ka kthyer Shqipërinë në një problem jo vetëm për qytetarët, por edhe për Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“I ftoj të gjithë qytetarët të bashkohen në protestë, secili për problemin që mendon se nuk funksionon më në këtë vend, përballë njeriut që ka ndërtuar një sistem që ka vendosur narkotrafikun në qendër të republikës”, përfundoi ai.



