
Serbia ka lejuar shërbimet ruse të sigurisë të testojnë të ashtuquajturit “topa zanorë” mbi qen, në bashkëpunim me shërbimet sekrete serbe, sipas dokumenteve qeveritare që ka siguruar Politico.
Sipas raportimit, administrata e presidentit Aleksandar Vuçiç ka kryer eksperimente me pajisje zanore me intensitet të lartë, të njohura si LRAD (Long Range Acoustic Device), vetëm dy javë pas protestës së madhe antiqeveritare në Beograd, e cila u ndërpre nga një zhurmë e fortë që demonstruesit e përshkruan si goditje zanore paralizuese.
Politico thekson se testimi i përbashkët i armëve zanore mbi kafshë tregon thellësinë e bashkëpunimit të sigurisë mes Serbisë dhe Rusisë, në një kohë kur Serbia është vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Europian, por me procesin e integrimit të bllokuar dhe përballë protestave masive të brendshme.
Çfarë janë topat zanorë
Pajisjet LRAD reklamohen si mjete për komunikim në distanca të gjata, por kur përdoren nga afër, ato mund të shkaktojnë dëmtime të dëgjimit, si dhe simptoma të tjera si dhimbje koke, marramendje dhe të përziera. Autoritetet serbe kanë mohuar vazhdimisht përdorimin e këtyre pajisjeve gjatë protestave.
Protesta masive dhe simptoma te qytetarët
Më 15 mars 2025, gjatë një prej protestave më të mëdha në Beograd, një zhurmë e papritur dhe shurdhuese përshkoi një nga rrugët kryesore të qytetit, duke shkaktuar panik dhe shpërndarje të turmës. Qytetarët që u paraqitën në qendrat urgjente raportuan të vjella, marramendje, dhimbje koke dhe ndjesi tronditjeje, duke përshkruar zhurmën si “një lokomotivë” ose “një grup motorësh” që po afrohej.
Presidenti Vuçiç dhe ministri i Brendshëm Ivica Daçiç i mohuan akuzat, ndërsa më pas Agjencia e Sigurisë dhe Informacionit (BIA) publikoi një raport të porositur nga FSB-ja ruse, ku pretendohej se pajisjet zanore nuk ishin përdorur ndaj protestuesve.
Testimet mbi qen
Sipas dokumenteve, pas protestës u zhvilluan testime mbi qen në një poligon të BIA-s, me qëllim verifikimin nëse simptomat e raportuara nga protestuesit përputheshin me efektet e topave zanorë. Testimet u kryen nga ekspertë serbë dhe rusë, duke përdorur dy modele LRAD – LRAD 100X MAG-HS dhe LRAD 450XL, të prodhuara nga kompania amerikane Genasys.
Qentë u ekspozuan ndaj tingujve nga distanca prej 200 deri në 25 metra, ndërsa dokumentacioni teknik tregon se këto pajisje mund të arrijnë deri në 150 decibel, një nivel i krahasueshëm me zhurmën e një avioni reaktiv gjatë ngritjes.

Dyshime për shkelje ligjore
Dokumentet sugjerojnë se testimet mund të jenë kryer pa autorizimin e nevojshëm ligjor. Ministria serbe e Bujqësisë deklaroi se nuk ka pasur dijeni dhe nuk ka dhënë asnjë leje për eksperimente mbi kafshë.
Avokati për të drejtat e njeriut Danilo Ćurçiç deklaroi se qentë janë nënshtruar eksperimenteve dhe keqtrajtimit, duke theksuar se ligji serb ndalon shprehimisht testimet mbi kafshë për qëllime të armëve dhe pajisjeve ushtarake.
Nga ana tjetër, raporti i FSB-së pretendon se gjatë testimeve “qentë nuk kanë shfaqur shqetësime apo ndryshime shëndetësore”, një pretendim që kundërshtohet nga opozita serbe.
Opozitari Radomir Lazoviç e cilësoi këtë çështje si përpjekje të Vuçiçit për të mbuluar përdorimin e topave zanorë kundër qytetarëve të tij, duke theksuar se mijëra protestues kanë përjetuar drejtpërdrejt efektet e këtyre pajisjeve.



