Screenshot

 

Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish në rrjetet sociale ndaj gazetarit Blendi Fevziu, duke e akuzuar për fabrikim akuzash, mungesë provash dhe refuzim për t’u kërkuar ndjesë shikuesve.

Në një postim të gjatë në Facebook, Rama thotë se Fevziu ka pohuar vetë se ka ngritur një akuzë pa fakte, duke u mbështetur, sipas tij, në “muhabete kafenesh” dhe raste sporadike, për të cilat nuk ka asnjë provë që lidhen me udhëtime private të ministrave gjatë fundjavave.

“E vetmja gjë që duhej të bënte ishte ndjesa ndaj shikuesve të tij,” shkruan Rama, duke theksuar se deklarata e Fevziut se nuk do të përgjigjet më për këtë çështje është një pranim indirekt i mungesës së argumenteve.

Kryeministri e akuzon gazetarin se kërkon llogari për gjëra që nuk i di ose i shpik, ndërkohë që, sipas tij, në emisionin “Opinion” fton rregullisht persona të armatosur me “gjysmë të vërteta”, që në thelb janë gënjeshtra të mëdha. Rama ndalet edhe te kritikat e Fevziut për video-inspektimet e anëtarëve të qeverisë, duke ironizuar pretendimin se ato janë praktikë unike dhe jashtë standardeve demokratike.

Në vijim, Rama e sfidon publikisht Fevziun të tregojë një rast në botë ku debatet politike zhvillohen në kushte kaosi, me britma të pandërprera, ndërprerje të vazhdueshme të fjalës dhe mungesë rregullash, duke e akuzuar moderatorin se nxit përplasje dhe nuk vendos standarde etike në komunikim.

“Nuk është normale që anëtarët e qeverisë t’i shmangin daljet mediatike, por nëse Fevziu nuk nis nga vetja dhe nuk vendos standarde demokratike në sallonin e tij, atëherë s’ka si t’u kërkojë llogari ministrave pse nuk hidhen në tenxheren e Opinionit,” shkruan Rama, duke shtuar se sipas tij, në këto formate shikuesit më shumë abuzohen dhe helmohen me politikën sesa informohen.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu