
Zbardhen emrat e personave të arrestuar pas arratisjes së të dënuarit Altin Ndoci nga Spitali Rajonal i Durrësit, ngjarje e ndodhur më 13 janar, gjatë një vizite mjekësore të shoqëruar nga forcat e policisë.
Sipas gazetares Kodiana Lala, në kuadër të hetimeve janë vënë në pranga gjithsej tetë persona, mes tyre efektivë policie, staf shëndetësor dhe një punonjëse burgu, të dyshuar për shpërdorim detyre.
Të arrestuarit:
Aulon Çuko, kryeinfermier në Spitalin e Durrësit
Desdemon Pazaj, zëvendësshef i Policisë
Efektivët e policisë: Dorjan Saraçi, Sal Ferollari, Preng Marvataj, Fatjon Baci, Aranit Çela
Violeta Uka, punonjëse e burgut të Durrësit
Në fokus të hetimeve është edhe efektivi Fatjon Baci, i cili rezulton i përfshirë më herët në një tjetër episod të hetuar nga drejtësia, ku i kishte dhënë telefonin ish-kryebashkiakut Erion Veliaj gjatë transportimit me furgon policie drejt SPAK.
Pamjet e arratisjes
Janë publikuar pamje filmike që tregojnë momentin kur Altin Ndoci largohet me vrap nga ambientet e spitalit, duke iu shmangur rojeve të sigurisë. Ai shihet duke kaluar mes automjeteve në parkimin e spitalit dhe më pas largohet pas një ndërtese, ku dyshohet se e priste një automjet tip “Audi”, me të cilin u arratis.
Pamje të tjera tregojnë se Ndoci ka mbërritur në spital pa pranga, në kundërshtim me rregulloren, duke qenë se konsiderohet person me rrezikshmëri të lartë dhe duhej të ishte i shoqëruar me masa sigurie të shtuara.
E shkuara kriminale
Altin Ndoci u arrestua në korrik të vitit 2020 gjatë operacionit “Plumbi i Artë”, si i dyshuar për përfshirje në katër vrasje. Në prill të vitit 2024, Gjykata e Posaçme e shpalli të pafajshëm për disa prej këtyre akuzave, por ai vijoi të qëndronte në burg për çështje të tjera të ngritura nga SPAK, bazuar në dëshmitë e të penduarit të drejtësisë Nuredin Dumani.
Ndoci akuzohej gjithashtu për pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal dhe për armëmbajtje pa leje, çështje për të cilat vijon të hetohet.
Hetimet për arratisjen e tij nga Spitali i Durrësit janë ende në zhvillim.



