TIRANË – Nëse votat ndajnë pushtetin, klikimet duket se ndajnë famën. Sipas një analize të bërë në emisionin “Studio 24”, shqiptarët gjatë vitit 2025 kanë pasur një zakon të qartë: të klikojnë më shumë politikanët sesa programet, dhe më shumë hetimet sesa premtimet.

Eksperti i komunikimit digjital Tomi Kallanxhi tregoi  se lideri absolut i klikimeve për vitin që po mbyllet është Edi Rama, kryeministër dhe njëkohësisht kryetar i Partisë Socialiste. Një vend i parë që, sipas ironisë së rrjeteve, nuk fitohet me vota, por me “refresh”.

Në vendin e dytë në renditje, jo një politikan, por një institucion: SPAK. Një surprizë vetëm në letër, pasi duket se shqiptarët klikojnë më shpesh dosjet sesa fjalimet, dhe hetimet më shumë sesa inaugurimet.

I treti në listë renditet Sali Berisha, kreu i Partisë Demokratike, i cili vazhdon të mbetet konstant në interesin publik: herë si opozitar, herë si protagonist, por gjithmonë si titull.

Klikime, trende dhe “dashuri” gjeografike

Në të njëjtën analizë, Kallanxhi zbuloi edhe emrat trending të vitit, ku spikat deputetja Zegjine Çaushi, një emër i ri në Kuvend, por i vjetër tashmë në motorët e kërkimit.

Sa i përket “romancës digjitale” të liderëve politikë, dy qytetet ku kërkimet për Ramën dhe Berishën kanë qenë më të larta janë Dibra dhe Kukësi, duke dëshmuar se politika, përveçse polarizon, edhe lokalizohet.

Në fund të listës, por gjithsesi brenda top 10-shes, sërish SPAK, që sipas ekspertit renditet edhe në vendin e nëntë për klikime, duke konfirmuar se drejtësia mund të mos flasë shpesh, por kërkohet shumë.

Në një vit ku politika u konsumua më shumë me “search” sesa me “share”, duket se shqiptari i vitit 2025 nuk pyet vetëm “kush qeveris”, por sidomos “kë po hetojnë”.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu