
TIRANË – Këshilli i Ministrave ka miratuar më 30 dhjetor 2025, një paketë vendimesh që prekin pensionistët, kategoritë në nevojë, marrëveshjet ndërkombëtare, arsimin e lartë dhe fondin e rindërtimit, duke mbyllur kështu vendimmarrjen për këtë vit.
Kompensim për pensionistët dhe kategoritë përfituese
Qeveria vendosi shifrat e kompensimit të të ardhurave mujore për pensionistët dhe kategori të tjera sociale. Sipas vendimit, përfitojnë kompensim mujor:
- deri në 1 800 lekë personat me të ardhura deri në 40 mijë lekë në muaj;
- deri në 800 lekë personat me të ardhura deri në 22 mijë lekë në muaj;
- deri në 1 000 lekë personat me të ardhura deri në 18 mijë lekë në muaj;
- deri në 600 lekë personat me të ardhura deri në 30 mijë lekë në muaj që përfitojnë pension invaliditeti;
- deri në 700 lekë personat me të ardhura deri në 18 mijë lekë në muaj që përfitojnë pension familjar.
Mbështetje financiare për kategori të tjera
Mbështetje financiare në masën 15 mijë lekë për vitin 2025 do të përfitojnë edhe familjet dhe individët që trajtohen me ndihmë ekonomike, fëmijët pa kujdes prindëror të vendosur në familje kujdestare, personat me aftësi të kufizuara, përfituesit e statusit të invalidit paraplegjik dhe tetraplegjik, përfituesit e statusit të të verbrit, si dhe ndihmësit personalë të personave me aftësi të kufizuara.
Pensione të posaçme dhe marrëveshje ndërkombëtare
Qeveria miratoi dhënien e shtesës së pensionit të posaçëm shtetëror për personalitete të shquara të artit, kulturës dhe sportit, si vlerësim për kontributin e tyre në jetën publike.
Po ashtu, u miratua në parim protokolli për ndryshimin e marrëveshjes me Gjermaninë për shmangien e tatimit të dyfishtë dhe evazionit fiskal, si dhe marrëveshja për bashkëpunimin teknik “Green Vjosa – zhvillim rajonal i gjelbër dhe gjithëpërfshirës” në zonën e Parkut Kombëtar të Vjosës. Një tjetër marrëveshje u miratua edhe me Azerbajxhanin në fushën e luftës kundër krimit.
Vendime për arsimin dhe rindërtimin
Këshilli i Ministrave vendosi krijimin e bazës shtetërore të të dhënave të Sistemit të Menaxhimit të Informacionit të Arsimit të Lartë (SMIAL), e cila do të administrohet nga Qendra e Shërbimeve Arsimore.
Vendim u mor edhe për përdorimin e fondit të rindërtimit, me mbi 37 milionë lekë pa TVSH për rindërtimin e banesave individuale në Bashkinë Shijak dhe mbi 315 milionë lekë pa TVSH për rindërtimin e shkollës së mesme të bashkuar “Ramazan Karaj” në Bashkinë Krujë.
Këto janë vendimet e fundit të miratuara nga qeveria shqiptare për vitin 2025.







