Policia e Kosovës ka arrestuar sot Millosh Steviq, i cili dyshohet për ushtrim presioni, ndikimi dhe shantazhi me qëllim orientimin e votës gjatë procesit zgjedhor.

Sipas burimeve të KosovaPress brenda Policisë së Kosovës, Steviq është shoqëruar në stacionin policor në Graçanicë, ku po intervistohet lidhur me dyshimet për përpjekje të organizuara për të ndikuar në vullnetin e qytetarëve përmes detyrimit dhe shantazhit.

Burimet bëjnë me dije se i arrestuari dyshohet të ketë vepruar në kuadër të një skeme presioni elektoral, ndërsa raportohet se ai është i afërt me kryetarin e Komunës së Graçanicës, Novak Ziviq.

Gjatë aksionit policor, autoritetet kanë sekuestruar edhe një fletore me shënime, ku sipas burimeve përmbahen emra kandidatësh të Lista Serbe. Po ashtu, Steviq kishte me vete edhe shuma parash, kryesisht në kartëmonedha 20 dhe 50 euro.

Autoritetet kosovare kanë konfirmuar se hetimet janë në vijim, ndërsa priten veprime të tjera procedurale në bashkëpunim me organet e drejtësisë, për të zbardhur plotësisht rastin dhe për të përcaktuar përgjegjësitë penale.

Ngjarja ka ngjallur vëmendje të shtuar edhe në Shqipëri, në një kontekst rajonal ku integriteti i proceseve zgjedhore dhe ndërhyrjet e paligjshme në votë konsiderohen çështje me ndjeshmëri të lartë demokratike.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu