
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, kërkoi lirimin e menjëhershëm të protestuesve të ndaluar pas protestës, duke e cilësuar veprimin e policisë si “provokacion” dhe “terrori policor” ndaj të rinjve që, sipas tij, “nuk kanë kryer absolutisht as edhe aktin më të vogël të dhunës”. Berisha deklaroi se janë ndaluar 10 persona, nga të cilët 4 janë arrestuar: Erlis Sina, Artan Hysenaj, Albi Kryezoi dhe Xhejson Prendi. Sipas tij, dy nga të arrestuarit janë kosovarë që kishin ardhur në Tiranë si turistë dhe janë ndaluar pasi policia ka mësuar se janë nga Kosova, me synimin që “të akuzohen edhe qytetarët e Kosovës për pjesëmarrje në protesta”. Berisha tha se dy të rinjtë kanë qenë në Tiranë pas protestës, kanë bërë foto dhe se njëri prej tyre i ka thënë se është “djali i një luftëtari të UÇK”, ndërsa paralajmëroi policinë “të mos i prekë me dorë protestuesit”, duke kërkuar që personat e arrestuar të lirohen menjëherë.



