
Kryetari i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, ka kërkuar të marrë pjesë në mbledhjen e Këshillit të Mandateve dhe Imuniteteve, ku po shqyrtohet kërkesa e SPAK për heqjen e imunitetit të zv/kryeministres Belinda Balluku. Shehaj është paraqitur pranë ambienteve të Kuvendit, por nuk është lejuar të futet në sallën e mbledhjes, çka ka sjellë tensione dhe përplasje verbale me efektivët e Gardës së Republikës.
Sipas tij, ky është një pazar që bëjnë dy forcat politike, ndërsa situatën e krijuar e konsideroi si çmenduri.
“Kjo është çmenduria, ne do vazhdojmë do luftojmë. Këta e kanë paralajmëruar, Edi Rama do të marrë në mbrojtje Belinda Ballukun”, tha Shehaj.
Shehaj pati edhe një përballje me kryetarin e Kuvendit, Niko Peleshi: “Pse më shtyni? Sepse preka kryetarin. Me dhunë. Vazhdon avazi PS-PD, vazhdon pazari PS-PD”.
Sipas transmetimit në facebook nga vetë Shehaj duket se ai ka insistuar me tone të ashpra se ka të drejtë të jetë i pranishëm në një mbledhje që lidhet drejtpërdrejt me transparencën dhe interesin publik, ndërsa Garda ka argumentuar se pjesëmarrja është e kufizuar vetëm për anëtarët e Këshillit dhe palët e autorizuara. Jashtë kryesisë së kuvendit ndërkaq po protestojnë mbështetësit e tij.







