
TIRANË – Një 36-vjeçar, i dyshuar se ka tentuar të vrasë me armë zjarri një shtetas rreth tri javë më parë në zonën e Institutit, është lokalizuar dhe vënë në pranga nga Policia e Tiranës në bulevardin “Nënë Tereza”. Në pranga kanë rënë gjithashtu edhe dy persona të tjerë, të dyshuar për përkrahje të autorit.
Si rezultat i punës informative dhe ndjekjes së kryer nga specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve ndaj Personit, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 3, u finalizua operacioni policor i koduar “Akuza”, me objektiv kapjen e autorit të plagosjes me armë zjarri të shtetasit M. J., në rrugën “Ramadan Citaku”, më datë 23 nëntor 2025.
Në kuadër të operacionit u ndaluan:
- F. F., 36 vjeç, ndaj të cilit Gjykata ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja me paramendim”, e mbetur në tentativë, dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”;
- I. L., 32 vjeç, ndaj të cilit Gjykata ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”.
Gjithashtu, u arrestua në flagrancë edhe M. N., 30 vjeç, për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”, pasi shoqërohej me 36-vjeçarin në momentin e ndalimit.
Nga hetimet ka rezultuar se shtetasi F. F. ka plagosur me armë zjarri, për motive të dobëta, shtetasin M. J., dhe pas ngjarjes është ndihmuar nga shtetasi I. L. për t’u larguar nga vendi i krimit. 36-vjeçari u kap pas ndjekjes së automjetit me të cilin lëvizte së bashku me shtetasin M. N., nga zona e Institutit deri në bulevardin “Nënë Tereza”.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme.






