Ish-kryeministri Sali Berisha ka akuzuar ashpër mazhorancën në seancën e sotme parlamentare, duke i cilësuar veprimet e saj në procesin për zgjedhjen e Avokatit të Popullit si “shkelje të hapura të rregullave dhe përpjekje të turpshme për kapjen e institucionit”.

Në deklaratën e tij, Berisha u ndal te vendimi i Komisionit të Ligjeve – i cili, sipas tij, përcaktoi se çdo deputet mund të vendosë vetëm një firmë për një kandidat në garën për Avokatin e Popullit. Ai tha se Partia Demokratike i është përmbajtur këtij vendimi dhe ka tërhequr të gjitha firmat, por mazhoranca po përmbys rregullat vetëm për të favorizuar kandidatin e saj.

“E keqja banale e kombit jeni ju”

Berisha e nisi fjalën me tone të forta:

“E keqja banale e kombit jeni ju. E keqja banale e kohës jeni ju.”

Ai akuzoi PS-në dhe kryetarin e Komisionit të Ligjeve se kanë ndryshuar rregullin e firmave sapo panë se kandidati që opozita e quan “Lepuri i Surrelit” nuk arrinte të siguronte mbështetje.

“Ne zbatuam vendimin, ju po e shkelmoni”

Sipas Berishës, vendimi i Komisionit ishte detyrues dhe opozita e respektoi atë:

“Ne zbatuam vendimin e Komisionit të Ligjeve. Tërhoqëm të gjitha firmat, sepse vendimi ishte i qartë. Deputeti ka vetëm një firmë për një kandidat.”

Por ai akuzoi mazhorancën se po e përmbys këtë vendim vetëm për të kaluar kandidatin e preferuar të tyre:

“Po shkelmoni vendimin tuaj, vetëm për të grabitur Avokatin e Popullit.”

“Lepuri i Surrelit nuk merr asnjë firmë”

Berisha theksoi se kandidati i mazhorancës nuk mund të marrë firmat e nevojshme:

“Ju e dini se Lepuri i Surrelit nuk merr dot asnjë firmë. I bëni edhe kukumales në qafë për të realizuar një akt të turpshëm.”

Ai e cilësoi të gjithë procesin si të manipuluar dhe të ndërtuar mbi qëllime politike të socialistëve.

“Bëjeni, por është shumë e ulët”

Në fund, Berisha i la mazhorancës një mesazh të prerë:

“Bëjeni farsën tuaj, por është një gjë shumë e ulët.”

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu