
Një grua 57-vjeçare nga Melbourne, Florida, po vijon rikuperimin pasi u plagos lehtë kur një avion i vogël u përplas me makinën e saj gjatë një uljeje emergjente në autostradën I-95.
Ngjarja ndodhi rreth orës 17:45 të 8 dhjetorit, në korsitë jugore të I-95, pak në jug të State Road 520, pranë qytetit Cocoa. Avioni i tipit Beechcraft 55 goditi një automjet Toyota Camry të vitit 2023, përpara se të ndalonte pjesërisht mbi një barrierë betoni.
Sipas autoriteteve, piloti 27-vjeçar nga Orlando dhe pasagjeri i tij, gjithashtu 27-vjeçar nga Temple Terrace, nuk pësuan lëndime. Pak momente para incidentit, piloti kishte raportuar probleme me motorin, çka detyroi uljen emergjente në autostradë.
View this post on Instagram
Avioni është në pronësi të Tailwinds Flying, me bazë në Merritt Island. Shërbimet e emergjencës mbërritën menjëherë në vendngjarje, ndërsa qarkullimi në zonë u kufizua përkohësisht.
Gruaja nga Melbourne u ndihmua të dalë nga makina e dëmtuar rëndë dhe u transportua për kujdes mjekësor. Ajo ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Autoritetet federale të aviacionit dhe policia lokale kanë nisur hetimet për të zbardhur plotësisht shkaqet e aksidentit.



