Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish sot.

Përmes një postimi në rrjetin social X, Rama sqaron se kërkesa për rritje page nuk ndalet vetëm në 1 600 euro për magjistratët dhe këshilltarët e zakonshëm, por përfshin edhe gjyqtarët e institucioneve “speciale”, si GJKKO dhe SPAK.

“1600 euro është rritja që kërkojnë magjistratët e këshilltarët e zakonshëm, ndërsa specialët – ata të GJKKO dhe SPAK-ut, që kanë pagat më të larta në republikë – kërkojnë një rritje prej 3100 eurosh”, shkruan Rama.

Sipas tij, gjyqtarët që aktualisht përfitojnë rreth 6 130 euro në muaj, synojnë të arrijnë një pagë prej 9 230 eurosh, nëse Gjykata Kushtetuese do të vendosë në favor të tyre.

Kryeministri e lidh këtë kërkesë me atë që ai e quan përqendrim të tepruar pushteti nga ana e gjyqësorit. Ai shprehet kritik ndaj vendimeve gjyqësore që, sipas tij, kanë marrë kompetenca të përbashkëta të ekzekutivit, legjislativit dhe Presidentit, pa pasur një mandat popullor.

“Kur arrin të ndryshosh edhe qeverinë me një vendim gjykate, duke marrë kompetencat e kryeministrit, Presidentit e parlamentit bashkë, pa pasur marrë asnjë votë nga populli, si nuk arrin të marrësh nga arka e shtetit mijëra euro për të rritur pagën tënde?”, shprehet Rama.

Në përfundim, kryeministri thekson se debati nuk ka të bëjë me individë apo ministra të veçantë, por me atë që ai e cilëson si rrezik real për përmbysjen e balancës demokratike mes pushteteve në Shqipëri.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu