
Pas mbledhjes së Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Toni Gogu foli mbi prioritetet e agjendës parlamentare, duke theksuar se Kuvendi po përballet me një ritëm pune të paprecedentë, të diktuar nga procesi i integrimit europian.
Sipas ministrit Gogu, ngarkesa e agjendës parlamentare është rritur ndjeshëm për shkak të proceseve të negociatave me Bashkimin Europian, të cilat pritet të intensifikohen edhe më tej në muajt në vijim.
“Agjenda parlamentare është ngarkuar në mënyrë domethënëse për shkak të agjendës europiane. Ky është një ritëm që nuk është parë ndonjëherë në historinë e parlamentarizmit shqiptar”, tha ai.
Gogu bëri të ditur se Shqipëria pritet të përballet me mbi 500 ligje që duhet të miratohen në kuadër të procesit të negociatave, pa përfshirë aktet nënligjore dhe vendimet e Këshillit të Ministrave.
“Pra ne kemi çelur të gjithë grupkapitujt, ne duhet të plotësojmë të gjithë ato kushte të ndërmjetme në mënyrë që të vazhdojmë negociatat për grupkapituj të caktuar dhe për këtë arsye janë një sërë ligjesh siç ishte ajo që kaluam për raportin e Avokatit të Popullit në seancën e kaluar dhe do të vijnë të tjera në këto seanca në vazhdim”, sqaroi ai.
Ministri theksoi se ligjet në proces miratimi nuk janë thjesht kërkesa formale të integrimit europian.
“Duhet të kemi parasysh që këto nuk janë thjesht pr/ligje që do mbeten në letër në ato kapitujt me BE. Këto janë pr/ligje që ndikojnë drejtpërsëdrejti në jetën e qytetarit shqiptar dhe në afrimin e standardeve europiane në biznes, në akademi, në politikë, në shoqëri civile, pra në të gjithë jetën shoqërore shqiptare.”
Sa i takon bashkëpunimit me opozitën në këtë rrugëtim parlamentar, Gogu tha se dialogu parlamentar ka gjithmonë vend për t’u përmirësuar, por në fund të fundit mbetet një proces dypalësh.






