Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka dërguar për gjykim dosjen penale ndaj Evis Berberit, ish-kreut të Autoritetit Rrugor Shqiptar (ARRSH), i cili ndodhet në burg nën dyshimet për abuzime me tenderat publikë gjatë kohës që drejtonte institucionin.

Berberi, vartës i zëvendëskryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, akuzohet për korrupsion dhe pastrim parash.

Në të njëjtën dosje, biznesmeni Valter Begaj akuzohet për korrupsion aktiv, mashtrim me pasoja dhe pastrim parash, ndërsa Gentian Gjyli akuzohet për shkelje të barazisë në tendera në dy raste, në bashkëpunim. Po ashtu, edhe kreu i KESH, Erald Elezi, përballet me akuzën e shkeljes së barazisë në tendera, gjithashtu në dy raste, në bashkëpunim.

Pesë ditë më parë, Evis Berberi ka kërkuar gjykim të shkurtuar, ndërsa paralelisht ka depozituar kërkesa për kthimin e sendeve të sekuestruara, fshirjen e korrespondencave dhe përjashtimin nga përdorimi të të dhënave të marra nga telefoni i tij celular.

Berberi u arrestua më 13 mars 2024 me urdhër të Gjykatës së Posaçme, pasi ndaj tij u ngritën akuzat për pastrim parash dhe korrupsion.

Skema e dyshuar

Sipas hetimeve të SPAK, Evis Berberi dyshohet se fillimisht, në kohën kur mbante detyrën e Drejtorit të Agjencisë për Efiçencën e Energjisë, ka zhvilluar tre procedura prokurimi me vlerë rreth 1.2 milionë euro, të cilat janë fituar nga kompania “DAAM”, e drejtuar formalisht nga Valter Begaj, por që në fakt, sipas Prokurorisë, zotërohej në mënyrë indirekte nga vetë Berberi.

Po ashtu, SPAK dyshon se gjatë periudhës kur Berberi drejtonte Autoritetin Rrugor Shqiptar, e njëjta kompani ka fituar edhe tre tendera të tjerë, me një vlerë totale rreth 1 milion euro.

Hetimet kanë zbuluar se kompania “DAAM” është përdorur si kanal për transferimin e shumave të mëdha monetare nga një tjetër shoqëri, “Net Group”, në pronësi të biznesmenit Valter Begaj, përmes një sërë transaksionesh financiare.

Sipas SPAK, fondet e transferuara në favor të “DAAM” janë përdorur për blerjen e pronave të paluajtshme në emër të kësaj shoqërie, çka ka ngritur dyshime të forta për një skemë të strukturuar pastrimi parash.

Prokuroria thekson se transaksionet nga “Net Group” drejt shoqërisë “DAAM”, e cila dyshohet se ishte në zotërim indirekt nga Berberi, përkojnë në kohë me fitimin e disa tenderave publikë nga “Net Group”, të shpallur nga Agjencia për Efiçencën e Energjisë dhe Autoriteti Rrugor Shqiptar, institucione që në atë periudhë drejtoheshin nga Berberi.

Bëhet fjalë për procedura prokurimi publik me një vlerë totale mbi 2.7 milionë euro me TVSH.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu