
Policia antidrogë e Perusë ka sekuestruar 3.4 tonë kokainë të fshehura mes një ngarkese me banane, e cila ishte destinacion për në Belgjikë. Operacioni u zhvillua në rajonin verior të Piura, një zonë e njohur si korridor i trafikimit të drogës drejt Europës.
Sipas autoriteteve peruane, droga u zbulua gjatë kontrollit të një ngarkese eksporti dhe u sekuestrua përpara se të nisej drejt tregut europian. Pamjet e publikuara nga Policia Kombëtare tregojnë forcat e sigurisë duke shkarkuar blloqet e kokainës nga një avion dhe duke i ekspozuar ato në aeroport.
View this post on Instagram
Sekuestrimi u prezantua zyrtarisht në aeroport nga presidenti i përkohshëm i Perusë, Jose Jeri, së bashku me drejtues të Policisë Kombëtare, të cilët vlerësuan aksionin si një goditje të rëndë ndaj rrjeteve ndërkombëtare të trafikut të drogës.
Autoritetet bënë me dije se hetimet vijojnë për të identifikuar personat e përfshirë në këtë tentativë trafikimi dhe lidhjet e saj me grupet kriminale në Europë, ndërsa Peruja mbetet një nga vendet kyçe të prodhimit dhe tranzitit të kokainës në botë.






