Një ngjarje e rëndë trondit Durrësin. Ka humbur jetën sot 15-vjeçari që u plagos me thikë në zemër më 25 nëntor, gjatë një sherri mes adoleshentësh në zonën e ish-Kënetës.

I mituri ndërroi jetë pas 9 ditësh në intubim, pasi plagët e marra rezultuan fatale, pavarësisht përpjekjeve të mjekëve për ta mbajtur në jetë.

Si ndodhi ngjarja

Incidenti u regjistrua në rrugën “Laguna e Karavastasë”, ku dy të mitur kishin lënë takim me pretendimin për të “sqaruar” debatet e nisura në rrjetet sociale. Të shoqëruar nga miq të tjerë, tensionet mes tyre degjeneruan në një konflikt fizik, ku u përdorën edhe sende të forta.

Gjatë përplasjes, 14-vjeçari me iniciale M.K. goditi me thikë katër herë në zonën e zemrës bashkëmoshatarin e tij, duke e lënë të plagosur rëndë.

Babai i viktimës: Prisnim reagimin e trurit

Disa ditë më parë, i ati i 15-vjeçarit deklaroi se djali ndodhej në intubim dhe mjekët po prisnin reagimin neurologjik për të vlerësuar gjendjen e tij.

“Kemi dalë nga gjendja e rrezikut. Presim reagimin e trurit dhe më pas të dalim nga intubimi… Parametrat janë optimale, kemi një problem të ulur, por një trajektore të mirë”,
– deklaroi ai në emisionin “Me Zemër të Hapur” të moderatores Evis Ahmeti.

Megjithatë, pavarësisht trajtimit intensiv dhe përpjekjeve të mjekëve, adoleshenti nuk ka mundur të mbijetojë.

Hetimet

Policia ka shoqëruar të miturin e dyshuar për goditjen me thikë dhe po vijon hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, ndërsa pritet që çështja të kalojë për vlerësim në Prokurorinë e të Miturve.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu