Kryetari i Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha, zhvilloi mbrëmjen e sotme foltoren e parë të turit me qytetarët e Njësisë nr. 9 në Tiranë. Në një bashkëbisedim të hapur me demokratët dhe mbështetësit, Berisha artikuloi akuza të forta ndaj qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama, duke theksuar se vendi po përballet me “një regjim që ka rrënuar çdo shtyllë të shtetit”.

Berisha e nisi fjalën me një falënderim për mbështetësit, duke theksuar se Shqipëria sot është përballë “alternativës ekzistenciale, të jesh apo të mos jesh”. Ai paralajmëroi se vendi po përjeton krizën më të rëndë demografike në një shekull, me nivelin më të ulët të lindshmërisë në Europë dhe një bilanc ku “vdekjet dominojnë mbi lindjet që prej vitit 2018”.

“Narkoshteti nisi në vitin 2015”

Në vijim, Berisha akuzoi kryeministrin Rama se në vitin 2015 “mbolli mijëra parcela me kanabis nga Pogoni në Koshuticë”, duke krijuar “fondin më të madh të parasë së zezë në historinë e vendit”.

Sipas tij, pasojat ekonomike dhe sociale janë shkatërrimtare:

  • eksportet dhe prodhimi industrial ranë,
  • mijëra punëtorë humbën vendet e punës,
  • zhvlerësimi i euros me 30–35% preku qindra mijëra familje që jetojnë me remitanca.

“Kjo para toksike i përzë fëmijët tanë nga vendi. Kullat? Janë blerë nga çunat e drogës dhe i mbajnë bosh”, deklaroi ish-kryeministri.

“Mediat janë nën kontroll total”

Berisha akuzoi qeverinë se ka kapur mbi 90% të medias, duke krijuar, sipas tij, “helmim mediatik të përditshëm”.

“Kjo është strategjia e mbijetesës së regjimit: drogë, para e zezë dhe kontroll i informacionit”, u shpreh ai.

“Rama i kishte bërë program Mogherinit për deklarata, Eurojust e ndali”

Një nga akuzat më të forta të mbrëmjes ishte ajo ndaj kryeministrit për çështjen Mogherini.

Berisha deklaroi se zyrtarja e lartë europiane “do vinte nesër në Tiranë dhe Edi Rama i kishte bërë programin që t’i merrte deklaratat”, por ndërhyrja e Eurojust “ia ktheu deklaratat personit që i meritonte”, duke lënë të kuptohej se vizita nuk do të realizohej sipas planit të kreut të qeverisë.

Mesazhi final

Berisha u shpreh se PD dhe qytetarët duhet të kundërshtojnë një sistem që, sipas tij, “e shtyp pluralizmin, kontrollon shtetin përmes krimit dhe deformon çdo institucion”.

“Regjimi ka pranuar pluralizmin vetëm në letër, por e shtyp opozitën me çdo mjet për të qëndruar në pushtet,” tha ai ndërsa mbylli takimin me premtimin e vijimit të turit të foltoreve.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu