Argjinatura e Vainit është dëmtuar për herë të dytë brenda pak javësh, duke rikthyer rrezikun e përmbytjeve në zonat përreth.

Edhe pse dëmtimi kësaj radhe raportohet të jetë më i vogël se çarja e parë, banorët e zonës shprehen të shqetësuar, pasi përmbytjet e mëparshme i mbajtën mbi 10 ditë nën ujë, raporton për Klan News, gazetari Martin Marku.

Autoritetet kanë publikuar një njoftim urgjent për qytetarët, duke konfirmuar çarjen e re në argjinaturën e ujërave të larta në segmentin Spiten–Tale.

“NJOFTIM I RËNDËSISHËM – SITUATË EMERGJENCE

Sot është konstatuar përsëri çarje e argjinaturës së ujërave të larta Spiten–Tale. U bëjmë thirrje banorëve të zonave Rrilë, Barbullojë, Tresh, Spiten, Markatomaj dhe Tale, nëse kanë probleme apo nevoja urgjente, të njoftojnë menjëherë në numrin e telefonit: +355 68 367 8727
Ekipet e Bashkisë Lezhë dhe strukturat përgjegjëse po marrin të gjitha masat për riparimin e argjinaturës së dëmtuar dhe garantimin e sigurisë së banorëve!”

Ndërkohë, ekipet e emergjencës dhe punonjësit e bashkisë ndodhen në terren për të parandaluar përmbytje të reja dhe për të minimizuar rrezikun ndaj banesave dhe tokave bujqësore. Banorët janë këshilluar të qëndrojnë të vëmendshëm dhe të raportojnë çdo problem.

/tvklan

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu