
Ish-kryeministri Sali Berisha ka reaguar pas deklarimeve të fundit të kryeministrit Edi Rama lidhur me vendimin e GJKKO-së për pezullimin e zv/kryeministres Belinda Balluku. Në një postim në rrjetet sociale, Berisha akuzon Ramën se “është i tmerruar” dhe po përpiqet të mbrojë veten përballë hetimeve.
Sipas Berishës, Rama “ndjen rrezikun” nga çështja e shumëpërfolur e tenderit të tunelit të Llogarasë, duke aluduar se kreu i qeverisë ka dijeni për komunikimet e pretenduara mes Ballukut dhe Ervis Berberit. Ai e cilëson Ballukun si “Lubi Balkuku”, ndërsa shprehet se kryeministri është i frikësuar nga pasojat politike dhe ligjore.
Berisha i referohet edhe deklaratës së Ramës, i cili tha se do të respektojë drejtësinë, por paralajmëroi se “ka një kufi kushtetues mes pushteteve të pavarura që nuk duhet kaluar”. Për Berishën, kjo deklaratë është një sinjal i qartë se Rama “po distancohet nga Balluku duke e lënë si kurban”, ndërsa përpiqet të mbrojë veten.
“Edvin, asgjë në botë nuk të shpëton nga krimet e tua të rënda”, shkruan Berisha, duke e akuzuar kryeministrin për ndërhyrje në drejtësi dhe tentativë për të shmangur përgjegjësitë.
Ky reagim vjen në një moment tensioni të lartë politik pas vendimit të GJKKO-së që pezulloi nga detyra zv/kryeministren Balluku dhe i ndaloi asaj daljen jashtë vendit, në kuadër të hetimeve për tunelin e Llogarasë.




