
Dhjetëra qen dhe mace janë gjetur të helmuar ditët e fundit në zona të ndryshme të Tiranës, duke rikthyer shqetësimin e madh publik për trajtimin çnjerëzor ndaj kafshëve endacake. Pamjet nga kamerat e sigurisë dhe denoncimet e qytetarëve tregojnë raste të përsëritura helmimesh të qëllimshme, të cilat po përhapen në disa lagje të kryeqytetit bën me dije Euronews Albania.
Aktivistët kërkojnë që Policia e Shtetit, Bashkia e Tiranës dhe institucionet përgjegjëse të ndërhyjnë menjëherë për të identifikuar autorët dhe për t’i dhënë fund kësaj praktike të përsëritur, që përbën vepër penale dhe një kërcënim serioz ndaj sigurisë publike.
Në rrjetet sociale, Animal Rescue Albania ka bërë gjithashtu një thirrje publike për protestë, si reagim ndaj helmimeve masive:
“Thirrje për PROTESTË‼️📢
A i paguani ju taksat për helmim dhe vrasje të kafshëve të rrugës apo për menaxhim etik?
A mendoni se është e drejtë kjo formë barbare në 2025?
Shpresojmë shumë në mbështetjen dhe humanizmin tuaj!
Të dobëtit meritojnë mbrojtje e ndihmë, jo asgjësim barbar!”
Ndërkohë, qytetarëve u bëhet thirrje të raportojnë çdo dyshim ose pamje filmike që mund të ndihmojë në hetimin e rasteve.




