
Në një intervistë nga Roma në ABC News, kryeministri Edi Rama dha sqarimet më të plota deri tani për dy çështjet më të nxehta të politikës: qëndrimin e Erion Veliajt në detyrë dhe hetimin e zv.kryeministres Belinda Balluku nga SPAK.
“Erion Veliaj nuk shkarkohet. Tiranën e la pa kokë Gjykata Kushtetuese”
Rama u shpreh se pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, Erion Veliaj mbetet kryetar i Bashkisë së Tiranës deri në vitin 2027, pasi pavarësisht situatës së tij juridike, ligjërisht nuk mund të shkarkohet.
“Ai nuk mund të shkarkohet. Kaq është shumë e thjeshtë.”
Kryeministri e quajti vendimin e Kushtetueses kontradiktor, duke thënë se gjykata “e la Tiranën pa kokë”, sepse njohu si kryetar një person që ndodhet në pamundësi për të ushtruar detyrën.
“Nëse Kushtetuesja do të jetë koherente, duhet ta lirojë që të mund të ushtrojë detyrën. Ndryshe bie në kontradikt me vetveten.”
Raporti Rama–Veliaj: “Nga ana ime është më i fortë se kurrë”
Rama tha se marrëdhënia e tij njerëzore me Veliajn është forcuar, ndërsa mbajtjen e tij të zgjatur në qeli e cilësoi të padrejtë.
“Ai mund të hetohej në gjendje të lirë dhe të vazhdonte punën. Ndjej keqardhje të thellë për atë që po përjeton.”
Por në plan politik, Rama la të kuptohet se nuk ka kthim pas:
“Vendimin tonë për largimin e tij nga detyra për pamundësi ushtrimi do ta bëja njëqind herë nëse do kthehesha mbrapa.”
“Ogerta Manastirliu është kandidatja e PS për Tiranën në 2027”
I pyetur për zgjedhjet e ardhshme vendore, Rama e bëri të qartë se Veliaj nuk mund të kandidojë as politikisht, as ligjërisht.
“Kandidatja jonë është Ogerta Manastirliu. S’kemi tjetër.”
Balluku në hetim – Rama: “SPAK-u ka punën e vet, ne punën tonë”
Lidhur me marrjen në hetim të zv.kryeministres Belinda Balluku, Rama refuzoi komentet politike dhe mbajti qëndrimin e njohur për pavarësinë e drejtësisë.
“SPAK-u ka punën e vet, ne kemi punën tonë. Nuk kam ndërmend të komentoj.”
Ai përsëriti se Partia Socialiste është e vetmja forcë që ka garantuar pavarësinë totale të sistemit të drejtësisë.
Berisha dhe 21 janari
Për thirrjen e Sali Berishës në SPAK për çështjen e 21 janarit, Rama tha se jeta politike nuk duhet të reduktohet te listat e personave që thirren në hetim.
“Jeta e vendit nuk është SPAK-u. 21 janari është turpi më i madh i mungesës së drejtësisë.”







