21 janar 2011, protesta para kryeministrise

 

Tiranë, 10 nëntor 2025 – Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) i ka dërguar një fletëthirrje ish-kryeministrit Sali Berisha, në kuadër të hetimeve për ngjarjen tragjike të 21 janarit 2011, ku u vranë katër protestues përpara Kryeministrisë.

Sipas burimeve, Berisha është thirrur të paraqitet të premten në orën 10:00, në cilësinë e personit që ka dijeni për rrethanat e ngjarjes.

Kujtojmë se më 30 tetor, edhe ish-ministri i Brendshëm dhe ish-kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha është paraqitur në SPAK për të dhënë dëshminë e tij lidhur me të njëjtën çështje.

Hetimet për vrasjet e 21 janarit

SPAK rihapi dosjen pas vendimit të Gjykatës së Lartë, e cila një vit e gjysmë më parë urdhëroi rikthimin e hetimeve për kallëzimin e familjes Nika, që akuzon Berishën, Bashën dhe ish-komandantin e Gardës së Republikës Ndrea Prendi se urdhëruan hapjen e zjarrit ndaj protestuesve.

Në ngjarjen e 21 janarit humbën jetën Aleks Nika, Ziver Veizi, Hekuran Deda dhe Faik Myrtaj, ndërsa dhjetë të tjerë u plagosën. Protesta ishte thirrur nga Partia Socialiste në opozitë, pas publikimit të një videoje ku ish-ministri Ilir Meta akuzohej për korrupsion.

Për vrasjet e Veizit, Dedes dhe Myrtajt, drejtësia në atë kohë dënoi Ndrea Prendin me një vit dhe Agim Llupon me tre vjet burg, me arsyetimin se vrasjet ishin “nga pakujdesia”. Vendimi i Gjykatës së Apelit në shtator 2013 u shoqërua me reagime të ashpra, pasi familjarët e viktimave dhe opinioni publik e cilësuan atë një padrejtësi të rëndë.

Urdhri i Gjykatës Europiane për rihapjen e hetimeve

Rihapja e dosjes u nxit nga vendimi i Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut (GJEDNJ) në nëntor 2023, e cila konstatoi se hetimet ishin të mangëta dhe të ndikuara politikisht.

Në vendimin e saj, GJEDNJ kërkoi nga shteti shqiptar “identifikimin dhe ndëshkimin e përgjegjësve për vrasjen e protestuesve”, duke theksuar se hetimet duhet të përfshijnë zinxhirin komandues të Gardës së Republikës dhe rolin e qeverisë së kohës, nën drejtimin e Sali Berishës.

Dosja “21 Janari” konsiderohet një nga plagët më të rënda të tranzicionit politik shqiptar, dhe rikthimi i saj në duart e SPAK pritet të rikthejë vëmendjen publike mbi kërkesën për drejtësi të familjarëve të viktimave.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu