
Merr fund misteri i burrit me kapele në Muzeun e Luvrit… Ishte
Tre javë pas grabitjes në muzeun e Luvrit-it, ndërsa hetuesit përpiqeshin të zbulonin kush ishin hajdutët dhe pse ishte kaq e lehtë të vidhen bizhuteritë e kurorës franceze, një mister tjetër mbeti pezull: kush ishte “njeriu me kapele”.
I riu elegant me kapele u fotografua jashtë muzeut atë të diel dhe fotografia e tij uu bë virale në rrjetet sociale, duke nxitur teori të shumta mbi identitetin e tij.
Dy misteret e para u zgjidhën shpejt: pakujdesia e hajdutëve me ADN-në lejoi policinë të identifikonte autorët, ndërsa drejtori i Luvrit-it pranoi se siguria me kamerat e sigurisë ishte e pamjaftueshme.
Por “njeriu me kapele” kishte mbetur një enigmë… deri tani.
Rezulton se ai është një adoleshent vendas, fans i Sherlock Holmes-it dhe Hercule Poirot-it, që thjesht ndodhej rastësisht në një skenë të vërtetë krimi.
Pedro Elias Garzon Delvaux, 15 vjeç nga Rambouillet, në jugperëndim të Parisit, i tha agjencisë Associated Press (AP) se kishte planifikuar të vizitonte Luvrit-in me familjen, por e gjetën të mbyllur.
“Nuk e dinim që kishte ndodhur një grabitje,” tha ai, citon BBC.
Ndërsa po pyeste oficerët se pse ishte mbyllur muzei, një fotograf i AP-së që po dokumentonte ngjarjen e përfshiu edhe adoleshentin në një foto.
Pedro e kuptoi që fotoja ishte bërë virale vetëm katër ditë më vonë, kur një mik i dërgoi një screenshot duke pyetur: “A je ti?”
Kur ai konfirmoi që ishte vërtet ai, miku i tha se fotoja kishte pesë milionë shikime në TikTok. “U habita pak,” tha Pedro për AP.
Edhe më i befasuar u ndje kur nëna e tij e telefonoi për t’i thënë se fotografia ishte botuar në The New York Times. “Më bëri shumë përshtypje,” tha ai, “sepse e lexoj atë gazetë dhe nuk ndodh çdo ditë të jesh në The New York Times.”
“Njerëzit më thanë: ‘Je bërë yll’. U mahnita që vetëm me një foto mund të bëhesh viral për disa ditë.”
I pyetur pse kishte veshur një jelek të stilit të vjetër dhe një kapelë fedora për të vizituar muzeun, Pedro tha se kishte filluar të vishej kështu së fundmi, i frymëzuar nga burrat e shtetit të shekullit XX dhe detektivët imagjinarë.
“Më pëlqen të jem elegant,” tha ai për AP. “Edhe në shkollë shkoj kështu.”
Ndërsa sa i përket spekulimeve për foton e tij që qarkullonin online, disa madje mendonin se mund të ishte një detektiv i vërtetë apo një imazh i krijuar nga inteligjenca artificiale, Pedro shpjegoi se pse zgjodhi të qëndronte në heshtje për javë të tëra.
“Nuk doja të thosha menjëherë që isha unë,” tha ai. “Me këtë foto ka një mister, ndaj duhet ta zgjasësh pak.”/tema







