Zëvendëskryeministrja e njëherazi ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, mori pjesë në takimin e përvitshëm të Nivelit të Lartë të ministrave të Energjisë së Europës Qendrore dhe Juglindore, që u zhvillua në Bukuresht nën drejtimin e komisionerit europian për energjinë, Dan Jorgensen.
Në një prononcim për mediet, Balluku vuri në dukje arritjet e Shqipërisë në fushën e energjisë, duke theksuar se për herë të parë 10% e prodhimit të brendshëm të energjisë vjen nga burime diellore, ndërsa 90% vijon të sigurohet nga hidrocentralet. “Bazuar në strategjinë kombëtare për diversifikimin, raporti 8-mujor për 2025 tregon se kemi arritur të krijojmë 10% të kapaciteteve gjeneruese nga burimet diellore”, tha Balluku.
Ajo shtoi se Shqipëria po punon për rritjen e sigurisë energjetike dhe përgatitjet për dimrin 2025–2026, në një kohë kur Europa po përballet ende me sfidat që lidhen me përdorimin e gazit rus.
“Kam përfituar nga rasti të ndaj në këtë event një arritje të rëndësishme të Shqipërisë gjatë këtij viti. Bazuar në strategjinë kombëtare për diversifikimin, për herë të parë raporti 8-mujor për 2025 tregon se kemi arritur të krijojmë 10% të kapaciteteve gjeneruese nga burimet diellore, duke e çuar kështu raportin total të prodhimit të brendshëm, në 90% hidro dhe 10% energji diellore.
Gjatë ditës kam patur kënaqësinë të takoj dhe diskutoj, me shumë nga kolegët që ishin prezent dhe gjithashtu me komisionerin Jorgensen, por dua të veçoj takimin me ministrin rumun të Energjisë, ku kemi diskutuar për ngjizjen e një plani për krijimin e një boshti energjetik ku përfshihet Shqipëria, Rumania, Maqedonia e Veriut, Bullgaria dhe Italia. Bashkëpunimi i gjerë rajonal ka treguar se është dhe do të jetë baza e një suksesi të garantuar për sigurinë energjitike europiane”, u shpreh Balluku në një prononcim për mediet./ATSH

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu