Në seancën e sotme plenare, kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, reagoi ashpër ndaj mënyrës së zhvillimit të debatit në Kuvend, duke akuzuar opozitën për pengim të procedurave normale parlamentare.

“Për ne nuk ka asnjë surprizë e gjithë kjo lojë, e bërë publike nga mediat për vendimmarrjen tuaj për të mos lejuar zhvillimin normal të seancës,” – deklaroi Balla në fillim të fjalës së tij.

Ai theksoi se mazhoranca ka respektuar çdo dakordësi të arritur më parë për kohën e debatit dhe numrin e pyetjeve të depozituara, duke shtuar se:

“Kemi rënë dakord për zhvillimin e 12 orë e gjysmë debat, sipas rregullores dhe manualit. Edhe populli pastaj na gjykon.”

Balla kujtoi se në Konferencën e Kryetarëve palët kishin nënshkruar dakordësinë për rregullat e seancës, ndërsa opozita po i shkel ato në mënyrë të qëllimshme:

“Ju bini dakord për të mos rënë dakord. E keni sjellë me shkresë dakordësinë për kohën e debatit dhe për pyetjet. Verba volant, scripta manent, thoshte latini.”

Kreu i grupit socialist iu drejtua drejtuesit të seancës, duke kërkuar respektimin e plotë të Rregullores së Kuvendit:

“Bazuar në Rregulloren e Kuvendit, neni 103, kërkesa juaj për të shkelur rregulloren as sot, as nesër, as pas një muaji, nuk do të marrë dakordësinë tonë.”

Në përfundim të ndërhyrjes së tij, Taulant Balla kërkoi 15 minuta pushim për konsultime me drejtuesin e seancës dhe kryetarët e grupeve parlamentare.

“Në rast se nuk do të kemi dakordësinë tuaj për të vijuar, ju bëjmë me dije se, bazuar në nenin 49 të Rregullores, do të kërkojmë ndërprerjen e diskutimit dhe kalimin në votim, pas një pushimi prej 5 minutash,” – theksoi Balla.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu