
Kryeministri Edi Rama, në episodin e katërt të podcastit të tij “Flasim”, ka deklaruar se Ogerta Manastirliu do të jetë kandidatja për Bashkinë e Tiranës, duke e cilësuar si një menaxhere të aftë që ka transformuar QSUT-në.
Rama ironizoi opozitën, duke thënë se është aq e dëshpëruar sa ka nxjerrë si kandidat një aktor humori, Florjan Binajn, i cili dikur kishte bërë për të qeshur edhe Kongresin e Partisë Socialiste, teksa e imitonte.
“Dy qytete të dorës së parë për Shqipërinë do të drejtohen nga dy gra. Ato janë padiskutim fituese. Këneta është kaq e dëshpëruar sa ka nxjerrë kandidat një aktor humori. Nuk e gjykoj aktorin për rolin e ri që ka marrë, por Ogerta do t’i japë Tiranës drejtimin e duhur”, tha Rama, duke shtuar se edhe Vlora do të ketë një grua në krye, Bruna Mersinin.







