
Vijon operacioni policor ndërkombëtar i koduar “The Wanted”, në kuadër të bashkëpunimit mes Interpol Tiranës dhe Interpol Madridit.
Si rezultat i këtij koordinimi, u finalizua ekstradimi nga Spanja në Shqipëri i shtetasit shqiptar J. K., 31 vjeç, i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet shqiptare.
Sipas SPAK, 31-vjeçari akuzohet se në shkurt të vitit 2025, në bashkëpunim me persona të tjerë, ka korruptuar punonjës policie dhe ka vjedhur rreth 200 000 litra naftë nga një anije e ankoruar në portin e Durrësit.
Për këtë ngjarje, Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) i kishte caktuar masën e sigurisë “arrest në burg” për veprat penale:
- “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”,
- “Kontrabanda me mallra për të cilat paguhet akcizë ose me pezullim të plotë apo të pjesshëm nga detyrimet doganore ose të akcizës”,
- dhe “Vjedhja, kryer në bashkëpunim.”
Operacioni “The Wanted” vijon në bashkëpunim me agjencitë ligjzbatuese ndërkombëtare për kapjen dhe ekstradimin e personave të kërkuar nga drejtësia shqiptare.







