
Policia e Durrësit ka zbardhur ngjarjen e rëndë të ndodhur në orët e para të mëngjesit të 22 tetorit në fshatin Manzë, ku si pasojë e një konflikti për motive të dobëta, mbetën të vrarë me armë zjarri dy shtetas.
Pas hetimeve të thelluara në bashkëpunim me Prokurorinë e Durrësit, janë arrestuar 4 shtetas për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”, ndërsa *2 të tjerë janë shpallur në kërkim.
Të arrestuarit
E. C., 25 vjeç
E. K., 21 vjeç
T. B., 37 vjeç
E. B., 34 vjeç (vëllezër)
Të gjithë banues në Manzë.
Të shpallurit në kërkim
D. P., 21 vjeç, banues në Manzë, i dyshuar si autor i njërës prej vrasjeve, akuzohet për “Vrasje me dashje” dhe “Mbajtje pa leje të armëve”;
G. A., 30 vjeç, banues në Manzë, akuzohet për “Përkrahje të autorit të krimit” dhe “Moskallëzim krimi”.
Si ndodhi ngjarja
Sipas hetimeve, D. P. ka hyrë në një lokal në Manzë dhe është konfliktuar verbalisht me kamerierin dhe me F. P., 33 vjeç, i cili ndodhej në lokal bashkë me disa persona, përfshirë E. C..
Pas konfliktit, D. P. është larguar me makinë, por është kthyer menjëherë pas pak minutash i shoqëruar nga E. K. dhe A. K., 23 vjeç.
Në tentativë për të hyrë sërish në lokal, F. P. ka dalë jashtë dhe dyshohet se ka qëlluar në tokë me armë zjarri. Në atë moment, D. P. ka qëlluar drejt tij, duke e plagosur rëndë, ndërsa F. P. ka kthyer zjarrin dhe ka qëlluar drejt D. P. dhe A. K..
Si pasojë e përplasjes me armë, mbetën të vrarë F. P. dhe A. K..
Hetimet tregojnë gjithashtu se pas ngjarjes, G. A. është larguar nga vendi i krimit bashkë me D. P., i cili ndodhet ende në arrati.
Vijojnë kërkimet
Policia e Durrësit është në kërkim intensiv për kapjen e autorëve të dyshuar, ndërsa nën drejtimin e Prokurorisë po vijon mbledhja e provave për të dokumentuar përgjegjësinë penale të të gjithë personave të përfshirë në ngjarje.
Materialet hetimore i janë referuar Prokurorisë së Durrësit për veprime të mëtejshme procedurale.