
Prej 12 ditësh, ish-kryeministri Fatos Nano ndodhet i shtruar në një spital privat në Tiranë për shkak të problemeve shëndetësore. Burime për Shqiptarja.com bëjnë me dije se Nano është shtruar në spital prej 8 tetorit dhe ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore, pas një arresti kardiorespirator.
Të njëjtat burime i thanë Shqiptarja.com se lideri historik i PS-së ka pësuar edhe sot një arrest kardiak. Nano ka humbur vetëdijen, pavarësisht se organet vazhdojnë të jenë funksionale.
Nano, prej kohësh ka probleme edhe me mushkëritë. Ai është shtruar në spital edhe më herët për shkak të një problemi kronik respirator, që njihet edhe si SPOK, sëmundje pulmonare obstruktive kronike.
Fatos Nano, 73-vjeç, është një prej ish-kryeministrave të Shqipërisë, ndërsa u shkëput nga politika në vitin 2005. Ish-kryeministri Fatos Nano është themeluesi dhe kreu i parë i Partisë Socialiste të Shqipërisë.
Nano ka qenë kryetar i Partisë Socialiste që nga 12 qershori i vitit 1991 e deri në vitin 2005, periudhë në të cilën shërbeu edhe si kryeministër i Republikës së Shqipërisë./shqiptarja