
Pas protestës për ish-komandantët e UÇK që mbahen padrejtësisht në Hagë, tradita e mikpritjes bëri bashkë pole të kundërta ideologjikisht të politikës kosovare.
Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka ndarë një foto ku shihet përkrah Kryetarit të Komunës së Prishtinës, Përparim Rama (përfaqësues i LDK-së) dhe Endrit Thaçit, pinjollit të PDK-së, djalit të ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.
“Më të fortë kur jemi bashkë🤝 Me Kryetarin më të mirë të Prishtinës, Përparim Ramën, i cili po e zbukuron atë çdo ditë, dhe djalin e Presidentit Thaçi, Endritin, sonte në kryeqytetin e shqiptarëve😍🇦🇱,” shkruan Balla në postimin e tij.
Takimi i Ballës me përfaqësues të dy poleve të kundërta, një parti e djathtë dhe një forcë e konsideruar si e majtë në politikën kosovare, shihet si një mesazh bashkimi dhe afrimi përtej ndarjeve partiake, nën frymën e vëllazërisë mbarëkombëtare. Në një ditë të paharruar që bashkoi shqiptarët në një tubim historik kundër padrejtësisë që po i bëhet ish-presidentit Thaçi, ish-kryetarëve të Kuvendit të Kosovës Jakup Krasniqi dhe Kadri Veseli, si dhe ish-deputetit dhe kreut të Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, për rolin e tyre si themelues dhe udhëheqës të UÇK.
Kujtojmë që Përparim Rama si kandidat i LDK kërkon mandatin e dytë dhe votat e PDK më 9 nëntor, në balotazhin kundër rivalit nga VV do t’ia jepnin fitoren e sigurt.