
Protesta madhështore në mbështetje të ish-komandantëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës u zhvillua sot në sheshin “Skënderbej” në Tiranë, ku mijëra qytetarë, veteranë dhe familjarë të dëshmorëve kërkuan “Drejtësi për çlirimtarët”.
Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, reagoi publikisht duke shprehur mbështetjen e tij të plotë për UÇK-në. Ai e cilësoi atë si gurthemeli i lirisë së Kosovës dhe pjesë të krenarisë kombëtare.
“UÇK-ja është themeli i lirisë së Kosovës. Ajo është krenari e historisë sonë kombëtare. Askush nuk mund të zhbëjë këtë trashëgimi trimërie, sakrifice e heroizmi”, shkroi Begaj në Facebook, duke e shoqëruar mesazhin me fotografi nga protesta.
Edhe Kryeministri Edi Rama reagoi, duke publikuar një video nga protesta me diciturën “Zemër mal”, si një shenjë solidariteti dhe mbështetjeje për pjesëmarrësit dhe qëllimin e protestës.
Ndërkohë, kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, postoi një video ku shihet së bashku me Endrit Thaçin, djalin e ish-Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, një nga katër ish-drejtuesit e UÇK-së që po gjykohen në Hagë. Prania e Ballës në protestë u pa si një mesazh politik dhe simbolik i mbështetjes ndaj luftës çlirimtare.
Protesta u zhvillua në mënyrë paqësore, me flamuj kombëtarë dhe pankarta që theksonin se komandantët e UÇK-së nuk janë kriminelë, por çlirimtarë. Pjesëmarrësit kërkuan drejtësi dhe respekt për sakrificën e UÇK-së, duke theksuar se Kosova është e lirë falë luftës së saj.







