
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka ushtruar sot të drejtën e votës në Fakultetin Juridik në Prishtinë, në kuadër të zgjedhjeve lokale që po zhvillohen në gjithë vendin.
Në një deklaratë për mediat pas votimit, Kurti e cilësoi këtë ditë si një moment të rëndësishëm për të ardhmen e komunave të Kosovës, duke theksuar se qytetarët po vendosin për katër vitet e ardhshme.
“Sot është një ditë e rëndësishme – votojmë për të vendosur për katër vitet e ardhshme në komunat tona. Votojmë për çerdhe, për shkollën, për ujin, për shëndetin, për shërbimet dhe për infrastrukturën në lagjet e qyteteve dhe fshatrave ku jetojmë,” tha Kurti.
Kreu i qeverisë në detyrë shtoi se, përveç të qenit qytetarë të Republikës së Kosovës, njerëzit janë edhe banorë të komunave ku jetojnë dhe veprojnë, prandaj u bëri thirrje të gjithëve që ta shfrytëzojnë të drejtën e votës.
“Ftoj të gjithë qytetarët, pa dallim, që ta përdorin këtë mundësi – të bëhen pjesë e zgjidhjes së problemeve dhe të angazhohen për përmbushjen e nevojave të tyre,” u shpreh ai.
Procesi zgjedhor në Kosovë po vijon në mënyrë të rregullt, ndërsa pjesëmarrja e qytetarëve pritet të përcaktojë drejtimin e ri të pushtetit lokal në 38 komunat e vendit.