Tronditja nga vrasja e gjyqtarit Astrit Kalaja në sallën e Gjykatës së Apelit në Tiranë ka përfshirë të gjithë sistemin e drejtësisë shqiptare. Pas ngjarjes së rëndë, të gjitha gjykatat në vend kanë pezulluar seancat për dy ditë, ndërsa në disa qytete flamujt janë ulur në gjysmështizë në shenjë zie.

Në sallën ku ndodhi ekzekutimi, kolegët e gjyqtarit kanë vendosur lule në vendin e krimit, ndërsa sot Gjykata e Apelit qëndron bosh dhe e rrethuar nga forcat e sigurisë. Homazhet publike për gjyqtarin do të zhvillohen nesër, më 8 tetor, nga ora 09:00 deri në 11:00 në Pallatin e Kongreseve, përpara se trupi i tij të përcillet për në banesën e fundit në Shkodër.

Vrasja ndodhi gjatë një seance gjyqësore për një çështje pronësie, kur Elvis Shkambi qëlloi për vdekje gjyqtarin Kalaja pasi ai shpalli vendimin kundër xhaxhait të tij, Gjon Shkambi. Nga të shtënat mbetën të plagosur edhe babë e bir, Ragip dhe Ervis Kurtaj.

Ngjarja ka nxjerrë në pah dështimin e sistemit të sigurisë në gjykata, pasi autori arriti të fuste armën brenda godinës pa asnjë kontroll. Avokatja Brunilda Lika, dëshmitare në vendngjarje, deklaroi se siguria në gjykata është “thuajse zero” dhe se “çdo ditë, gjyqtarë, avokatë e prokurorë ndihen të kërcënuar”.

Përmes deklaratave të tyre, Gjykata e Fierit, e Vlorës, e Lezhës dhe ajo e Kukësit kanë shprehur dhimbjen për humbjen e kolegut dhe kanë dënuar ashpër aktin, duke e quajtur një sulm ndaj themeleve të shtetit të së drejtës. Dhoma e Avokatisë së Fierit theksoi se “nuk e vrau vetëm dora e një individi, por vetë sistemi gjyqësor i braktisur nga shteti”.

Kjo ngjarje e paprecedentë ka shkaktuar reagime të forta institucionale dhe politike, ndërsa në Kuvend është mbajtur një minutë heshtje në nderim të gjyqtarit Kalaja.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu