
Komisioni për Burimet Natyrore, Infrastrukturën dhe Zhvillimin e Qëndrueshëm, në bashkëpunim me Komisionin për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale, zhvilloi sot një mbledhje të përbashkët për raportimin e veprimtarisë vjetore të AKEP (Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare) për vitin 2024.
Në fillim të seancës raportoi Gentian Sala Kryetari i Këshillit Drejtues të Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare, i cili prezantoi ecurinë e tregut të komunikimeve elektronike, masat për mbrojtjen e konsumatorit dhe sfidat në zbatimin e kuadrit rregullator.
Pyetje dhe shqetësime nga deputetët
Gjatë diskutimeve, deputeti Redi Muçi (Lëvizja Bashkë) kërkoi sqarime mbi masat për ndalimin e rritjes së çmimeve në tregun e shërbimeve celulare dhe arsyet pse operatorët e rrjetit virtual (MVNO) ende nuk kanë hyrë në treg, pavarësisht se licencat janë dhënë.
Nga ana e saj, Anila Denaj theksoi nevojën për automatizimin e procedurave për detyrimet financiare të subjekteve ndaj AKEP, për të shmangur përfundimin e çështjeve në procese gjyqësore.
Ndërkohë, deputeti Kliti Hoti (PD) ngriti shqetësimin e mosfunksionimit të duhur të roaming-ut me Kosovën, duke kërkuar shpjegime nga AKEP mbi mangësitë në shërbim përgjatë kufirit dhe ndërprerjet e shpeshta të sinjalit për operatorët shqiptarë.
“Roaming-u me Kosovën nuk funksionon siç duhet. Çfarë po bëhet për ta zgjidhur këtë problem? A ka investime në zonat kufitare, ku aktualisht sinjali i Vodafone apo One është shumë i dobët?”, – u shpreh Hoti.
Në përgjigje, Gentian Sala Kryetari i Këshillit Drejtues të Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare sqaroi se AKEP nuk ka konstatuar probleme të theksuara nga pala shqiptare, por janë vërejtur pengesa të kundërta, që lidhen me përfshirjen e disa paketave të operatorëve kosovarë në sisteme të ndryshme teknike dhe tarifore, çka ka krijuar “kleçka” në procesin e zbatimit të marrëveshjes.
Në fund të mbledhjes, anëtarët e komisioneve nënvizuan nevojën për forcimin e mbikëqyrjes mbi operatorët, rritjen e transparencës për tarifat, dhe përmirësimin e shërbimeve postare dhe elektronike, sidomos në zonat kufitare dhe rurale.