
Tre shkencëtarë – Mary E. Brunkow, Fred Ramsdell dhe Shimon Sakaguchi – janë shpallur fitues të Çmimit Nobel në Mjekësi 2025, për zbulimet e tyre themelore mbi mënyrën se si sistemi imunitar kontrollon vetveten dhe ruan ekuilibrin ndaj mijëra mikrobeve që përpiqen të pushtojnë trupin e njeriut.
Komiteti i Nobelit në Stokholm njoftoi se çmimi iu dha studiuesve “për zbulimet e tyre mbi tolerancën imunitare”, një mekanizëm jetik që mbron organizmin nga reagimet autoimune.
Tre shkencëtarët identifikuan qelizat T rregullatore (T-reg) – një nënpopullatë e specializuar e qelizave imune që vepron si “roje sigurie” duke parandaluar që sistemi imunitar të sulmojë qelizat e trupit.
“Zbulimet e tyre kanë qenë vendimtare për të kuptuar se si funksionon sistemi imunitar dhe pse jo të gjithë zhvillojmë sëmundje të rënda autoimune,” deklaroi Olle Kämpe, kryetar i Komitetit të Nobelit, gjatë shpalljes së fituesve.
Ky zbulim, i cili ka revolucionarizuar fushën e imunologjisë moderne, ka hapur rrugë të reja për trajtime kundër sëmundjeve autoimune, si artriti reumatoid, diabeti i tipit 1 apo skleroza multiple, si edhe për zhvillimin e terapive më të sigurta pas transplantimeve të organeve.
Ceremonia e dorëzimit të Çmimit Nobel do të mbahet më 10 dhjetor në Stokholm, në përvjetorin e ndarjes së parë të çmimeve nga Alfred Nobel.