Vetëm edhe një javë kohë e ndajnë vendin nga procesi i zgjedhjeve lokale, derisa edhe partitë politike këto ditë e kanë intensifikuar fushatën elektorale.

Saktësisht sot një javë, të dielën e 12 tetorit, qytetarët e Kosovës me të drejtë vote do t’i drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur drejtuesit nëpër komunat ku jetojnë.

Sipas të dhënave nga Lista Votuese e KQZ-së, janë mbi 2 milionë votues me të drejtë vote, derisa numri i qytetarëve që janë regjistruar për të votuar me postë nga jashtë Kosovës është 43,993, për çka KQZ-ja prej ditësh ka nisur 44 mijë pako me fletëvotime për votuesit e regjistruar në disa shtete.

Për zgjedhjet lokale të 12 tetorit në garë janë 93 subjekte politike të certifikuara nga KQZ-ja, prej të cilave: 32 parti politike, 2 koalicione, 32 iniciativa qytetare dhe 27 kandidatë të pavarur.

“Numri i përgjithshëm i kandidatëve të certifikuar për Zgjedhjet Lokale 2025 dhe që përfaqësojnë këto subjekte politike, është: 5,624 kandidatë, prej të cilëve 3,580 burra dhe 2,044 gra. Nga numri i përgjithshëm, vetëm për zgjedhjet për Kryetarë të Komunave janë certifikuar 205 kandidatë, prej të cilëve 185 burra dhe 20 gra. Ndërkaq, në zgjedhjet për Kuvende Komunale janë certifikuar 5,419 kandidatë, prej të cilëve 3,395 burra dhe 2,024 gra”, tha për RTKlive, zëdhënësi Valmir Elezi.

Ndërkohë, KQZ-ja është në përgatitjet finale për zhvillimin e këtij procesi zgjedhor, i dyti brenda vitit pas atyre të shkurtit kur në Kosovë u organizuan zgjedhjet nacionale.

Për t’u bërë gati për ditën zgjedhore, në 38 komuna të Kosovës, mbi 15 mijë komisionerë kanë nisur veçse nga e shtuna trajnimin nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Ata po trajnohen për detyrat dhe përgjegjësitë e tyre gjatë procesit zgjedhor.

Sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, Këshilli i Vendvotimit është përgjegjës për sigurimin e integritetit, sigurisë dhe të qetësisë në procesin e votimit dhe numërimit në vendvotim nën mbikëqyrjen e drejtpërdrejtë nga Komisioni Komunal i Zgjedhjeve.

KQZ ka treguar se procesi zgjedhor të dielën e 12 tetorit do të zhvillohet në 948 Qendra të Votimit, me gjithsej 2,625 vendvotime, prej të cilave 910 qendra me 2,571 vendvotime për votimin e rregullt dhe 38 qendra, nga një për çdo komunë, me 54 vendvotime, për të mundësuar votimin me kusht.

Ndërkohë, nga mesi i javës së ardhshme pritet që edhe fletëvotimet të shpërndahen nëpër Qendrat Komunale të Numërimit e bashkë me to edhe broshurat e kandidatëve të zgjedhjeve, të cilat do të shpërndahen në vendvotime në ditën e zgjedhjeve.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi ka treguar për RTKlive se për raundin e parë të zgjedhjeve për kryetarë komunash e për Kuvendet Komunale janë shtypur gjithsej 3,600,820 fletëvotime.

Ndërkohë, komunat në të cilat nuk do të përcaktohet fituesi për të qenë kryetar, raundi i dytë do të mbahet me 9 nëntor, pasi kështu e përcakton Ligji për Zgjedhjet Lokale, që thotë se katër javë pas votimeve do të mbahet raundi i dytë i zgjedhjeve për Kryetarë të Komunave.

Ligji për Zgjedhjet Lokale ka mbetur i njëjtë që kur u miratua në 2008-ën, dhe rrjedhimisht e njëjtë ka mbetur edhe mënyra e zgjedhjes së kryetarëve dhe anëtarëve të Kuvendeve Komunale.

Katër vjet më parë, në zgjedhjet lokale të vitit 2021, vetëm 17 komuna nga 38 sa janë në total kishin zgjedhur kryetarët në raundin e parë, ndërkaq raundi i dytë ishte mbajtur në 21 komuna të tjera apo për rreth 67% të votuesve./rtklive

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu