Procesi për zgjedhjen e kandidatit të opozitës për Bashkinë e Tiranës ka hyrë në një fazë të re. Pas një sërë takimesh me aleatët, përfaqësues të Partisë Demokratike dhe të forcave të tjera opozitare njoftuan arritjen e një dakordësie për të dalë me një emër të vetëm përballë kandidaturës së PS-së, Ogerta Manastirliut.

Deputeti Belind Këlliçi deklaroi se takimi ka qenë “pozitiv dhe produktiv”, duke theksuar se “kemi dakordësuar që duhet të gjejmë një kandidaturë që unifikon të gjithë spektrin opozitar. Ky është një lajm shumë i mirë për qytetarët e Tiranës, pasi të gjitha partitë kanë rënë dakord në parim për një emër të përbashkët”. Ai shtoi se, megjithëse janë diskutuar disa emra, nuk ka ende një vendim final për kandidaturën specifike.

Nga ana tjetër, deputeti i Partisë Mundësia, Erald Kapri, nënvizoi se kandidati i opozitës nuk duhet të vijë nga partitë politike, por të jetë një figurë publike me profil të qartë profesional: “Është totalisht e kundërta e Manastirliut. Një njeri që ka shanse dhe që është jashtë partive politike”.

Burime nga mbledhja e zhvilluar mëngjesin e sotëm bëjnë me dije se mes emrave të diskutuar si alternativa për kandidatin e përbashkët opozitar janë Ermal Hasimja, Edlira Çepani dhe Florian Haçka.

Megjithëse vendimi përfundimtar nuk është shpallur ende, sinjalet e fundit tregojnë se opozita është më e bashkuar se kurrë në përpjekjen për të sfiduar kandidaturën socialiste në Tiranë.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu