Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Toni Gogu, ka mbajtur fjalën e tij në seancën plenare, ku sqaroi se janë 19 projektligje dhe jo 17, të ridërguara nga Këshilli i Ministrave pas mbylljes së legjislaturës së kaluar.

“Këto projektligje nuk janë të reja, por janë ridërguar për t’u shqyrtuar, pasi legjislatura e kaluar nuk arriti t’i përfundonte. Qëllimi i tyre është vetëm një: integrimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian”, – u shpreh Gogu.

Ai theksoi se nuk ka nevojë për “akrobacira proceduriale” dhe ftoi opozitën të vijë me propozime konkrete.

“Nëse do të harxhoni edhe 10 ditë pa folur për programin, ne do të vijojmë shqyrtimin e projektligjeve. Keni parë vullnetin tonë për dialog”, – shtoi ministri.

Replika për projektligjin e Barazisë Gjinore

Gogu iu përgjigj një reagimi nga opozita, duke sqaruar se projektligji për Barazinë Gjinore është pjesë e kushteve të negociatave me BE.

“Ky projektligj është i përfshirë te ‘benchmark’-u i ndërmjetëm dhe duhet të mbyllet brenda dhjetorit. Jemi të gatshëm ta diskutojmë bashkë për ta bërë më të mirën për shoqërinë shqiptare”, – theksoi ai.

Replika me opozitën

Në një tjetër replikë, Gogu tha se ndihej i nderuar të ulej pranë kryeministrit dhe kolegëve të tij, duke theksuar se nuk gjykon askënd, edhe ata që akuzohen nga drejtësia.

“Jam i privilegjuar të ulem në krah të kryeministrit, i votuar nga shqiptarët për transformimin e vendit. Po ashtu, jam i përulur të ulem edhe me kolegë të akuzuar për korrupsion nga strukturat e posaçme, pa i gjykuar dot. Ky është mësimi i besimit tim”, – u shpreh ministri.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu