
Gjatë një takimi të zhvilluar nga “Clinton Global Initiative”, ku e pranishme ishte dhe presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, ish-presidenti amerikan Bill Clinton, ka ndarë një histori në të përditshmen e tij, ku sjell në vëmendje bashkëjetesën dhe fuqinë e paqes.
Clinton tha se viziton shpesh një restorant ku pronari është shqiptar i Kosovës dhe menaxheri serb.
Clinton: Ne kemi një vend që shet takos, ku shumica e punëtorëve janë meksikanë ose guatemalas, por pronari është një shqiptar nga Kosova. Dhe ja pjesa interesante, menaxheri, ai që më jep një birrë sa herë që hyj aty, është serb. Kjo është mrekulli.
Përgjatë këtij takimit, Clinton rrëfeu edhe vendimin që mori në vitin 1999 për ndërhyrjen ushtarake në Kosovë.
Clinton: Shumë menduan se isha çmendur kur u angazhova në Kosovë. Por, unë u thashë: shikoni, ky do të jetë vendi i vetëm në botën moderne ku një luftë do të fitohet përmes fuqisë sonë ajrore, sepse kosovarët nuk do të dorëzohen kurrë, dhe në fund do të jetë shumë e kushtueshme për serbët të vazhdojnë të luftojnë, dhe do të shpëtojmë më shumë jetë në këtë mënyrë./BalkanWeb