Një ngjarje e rëndë dhe ende e paqartë ka ndodhur pak pas mesnatës së të premtes (27 Shtator), në fshatin Salari të Tepelenës. Rreth orës 00:30, trupi i pajetë i një shtetasi italian u gjet në anë të rrugës, në vendin e quajtur “Dilan”.

“Rreth orës 00:30, në fshatin Salari, në vendin e quajtur ‘Dilan’, në rrugë është gjetur pa shenja jete shtetasi italian E. S., 44 vjeç, banues në Tiranë, i cili dyshohet se është vrarë me armë zjarri”, njoftoi zyrtarisht Policia e Shtetit.

Dinamika e ngjarjes

Viktima është identifikuar si Edoardo Sarchi, 44 vjeç, biznesmen italian, pronar i një fabrike tullash në Tiranë, ku jetonte prej dy dekadash. Sipas burimeve, ai kishte dalë për gjueti së bashku me tre persona të tjerë, përfshirë ortakun e tij Eqrem Braçe dhe djalin e këtij të fundit, Gazment Braçe.

Grupi ishte nisur drejt zonës me dy automjete, një Land Rover dhe një Volkswagen, të cilat u gjetën në vendngjarje nga policia. Sarchi ndodhej në njërën prej makinave në momentin e sulmit.

Ortaku i tij, Eqrem Braçe — aktualisht i shtruar në spitalin e Gjirokastrës — ka dëshmuar se një person i panjohur i ka dalë përpara automjetit dhe ka qëlluar në drejtim të tyre. Ai tha se kishte tentuar t’i jepte ndihmën e parë viktimës duke e nxjerrë jashtë makinës dhe më pas kishte lajmëruar policinë.

“Ishte errësirë e plotë, s’e identifikova dot kush ishte. Qëlloi dhe u largua menjëherë”, është shprehur Braçe para uniformave blu.

Kjo dëshmi shpjegon edhe faktin pse trupi i pajetë i Sarchit u gjet jashtë mjetit, anash rrugës.

Person në kërkim dhe shoqërime

Gazment Braçe, djali i ortakut të viktimës, i cili ndodhej në vendngjarje në momentin e ngjarjes, është shpallur në kërkim nga policia. Ai kërkohet për t’u marrë në pyetje për rrethanat e vrasjes.

Përveç Eqrem Braçes, është shoqëruar edhe një person tjetër, identiteti i të cilit ende nuk është bërë publik. Nuk dihet ende se çfarë raporti kishte ai me dy ortakët.

Autor i panjohur, rrethana të errëta

Autori i ngjarjes vijon të mbetet në arrati, ndërsa rrethanat e vrasjes janë ende të paqarta. Policia ka ngritur disa pista hetimore, por deri më tani, misteri rrethon ngjarjen që tronditi zonën e qetë të Salarisë.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu