Rrjeti prestigjioz ndërkombëtar i pasurive të patundshme, Forbes Global Properties, ka hapur përfaqësinë e tij zyrtare në Shqipëri përmes partnerit ekskluziv Capital Point. Në qendër të kësaj arritjeje që e fut Shqipërinë në hartën e një prej rrjeteve më elitare të real estate-it në botë, qëndron çifti Ilda Zaloshnja, CEO e Capitalpoint si dhe bashkëthemeluesi i kompanisë, Brandan Mativi, të cilët mundësuan këtë bashkëpunim historik.

Në një ceremoni të posaçme, ku mori pjesë edhe Kryeministri Edi Rama, u theksua rëndësia e këtij zhvillimi për tregun e pasurive të paluajtshme në vend. Rama vlerësoi çiftin për vizionin dhe guximin e tyre, duke theksuar se prania e Forbes Global Properties është një sinjal i qartë i rritjes së besimit ndërkombëtar tek Shqipëria si destinacion investimi.

Kryeministri Rama:
“Së pari duke shprehur falënderime shumë të sinqerta për një çift që e bëri të mundur një gjë të tillë dhe është diçka që t’ju them të vërtetën ishte diçka për të cilën isha skeptik, sepse ne e dimë shumë mirë që Forbes property  nuk është degë po themi këtu, është ajo e mirëfillta, e vërteta, dhe të shohësh drejtuesin ekzekutiv që vjen nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me një grup jo të vogël, për të kremtuar këtë mbrëmje është vërtetë një arritje mjaft e madhe, kështu që përgëzime.”

Ai shtoi se Shqipëria është sot një destinacion i jashtëzakonshëm për investime, veçanërisht në prag të integrimit evropian, duke përmendur faktin se pas anëtarësimit në BE, vlera e pasurive të paluajtshme në vendet e tjera është dyfishuar brenda pak vitesh.

“Dhe po është e vërtetë që sot Shqipëria është një destinacion shumë tërheqës dhe është një gjë shumë e mirë të dish që Forbes Properties  ka një shprehje shumë të fortë interesi për Shqipërinë, por është po kështu diçka e mirë të dihet që ata nuk janë kudo, ata nuk shkojnë kudo. Ata shkojnë saktësisht aty ku mendojnë se ka një horizont të ri. Ky është një lajm shumë i mirë për të gjithë ata që janë të përfshirë në industrinë e pasurive të paluajtshme, por është po kështu edhe lajm shumë i mirë për të gjithë shqiptarët, sepse nënkupton që pronat, pasuritë e tyre, po marrin gjithmonë e më tepër vlerë,” deklaroi Rama.

Forbes Global Properties pritet të sjellë standarde të reja, ekspozim ndërkombëtar dhe mundësi të zgjeruara investimi për tregun shqiptar. Për çiftin Ilda Zaloshnja dhe Brandan Mativi ky është jo vetëm një sukses profesional, por edhe një kontribut i drejtpërdrejtë për vendosjen e Shqipërisë në qendër të interesit të investitorëve të huaj.

“Kam investuar në këtë vend, ashtu si dhe një pjesë e mirë e juaja, ose ndoshta edhe të gjithë që në ’91 e në vazhdim, me bindjen dhe me dashurinë për Shqipërinë. Dhe kemi dashur gjithmonë t’i qëndrojmë besnikë këtij vendi dhe kemi hedhur rrënjët tona, dhe jo vetëm tonat, por edhe rrënjët e pjesëtarëve të tjerë të ardhur nga vende të tjera të cilët panë në këtë vend dashurinë, mundësinë dhe gjithçka tjetër që Shqipëria ofron. Ne, familja jonë e përzier shqiptaro-amerikane tani më është përkushtimi, është shembulli më i madh i përkushtimit më të lartë ndaj vendit dhe po ashtu edhe ndaj real estate-it, ndaj Forbes Global Properties.” deklaroi Zaloshnja. 

“Ajo çfarë dua të them është që sjellja e Forbes Global Properties në Shqipëri tregon që le të ëndërrojmë, le të bëjmë një plan së bashku, por çfarë është më e rëndësishme?Le ta ndjekim, ta realizojmë që ta vendosim Shqipërinë në hartën e pasurive luksoze të Forbes Global Properties!” tha Matavi. 

Hapja e kësaj përfaqësie shihet si një hap historik që do të ndikojë jo vetëm në tregun e real estate, por edhe në ekonominë shqiptare në tërësi.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu