Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar me një mesazh ngushëllues pas ndarjes nga jeta të politikanit dhe diplomatit shqiptar, Abdi Baleta.

“Abdi Baleta ishte një nga emrat e politikanëve që shqiptarët e Kosovës e mësuan sapo në Shqipëri ra regjimi komunist. Disa e kishin emër të dëgjuar edhe më parë, kur ai përfaqësonte Shqipërinë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, ndërsa për publikun e gjerë ai u bë i njohur me fjalimet në Kuvendin e Shqipërisë dhe me shkrimet në shtyp, që si kryetemë kishin çështjen e pazgjidhur shqiptare,” tha Kurti.

Ai e vlerësoi Baletën si një zë që spikaste për nga forca e argumentimit dhe vendosmëria me të cilën mbronte identitetin kombëtar dhe të drejtën e shqiptarëve për vetëvendosje dhe bashkim kombëtar.

“Abdi Baleta ishte një nga njohësit e thellë të ligjit ndërkombëtar dhe rrjedhave të gjeopolitikës. Një pjesë të shkrimeve të viteve 1990 për Kosovën i botoi në librin Kosova: Nga Dejtoni në Rambuje,” theksoi ai.

Kurti kujtoi edhe takimet e tij me Baletën në Tiranë.

“E dalloja pasionin me të cilin mbronte mendimet, që mbështeteshin nga përvoja e gjatë diplomatike dhe erudicioni, gëzimin për përparimet e Kosovës dhe të kombit shqiptar, pezmatimin për pengesat që ende shqiptarët kanë për të kapërcyer, por dhe besimin e tij se e drejta herët a vonë fiton”, ka shkruar ai.

Në fund, Kryeministri e përshkroi veprën e tij si një trashëgimi me vlerë.

“Vepra e tij publicistike është një shkollë e vërtetë për mendimin politik dhe strategjik shqiptar dhe një dëshmi e një jete kushtuar kombit”, ka shkruar Kurti.

“Ngushëllime familjes, të afërmve dhe bashkëpunëtorëve,” përfundoi Kurti.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu