
Tiranë, 18 Shtator 2025 – Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas debateve dhe tensioneve në Kuvend, duke theksuar rëndësinë e respektimit të rregullave parlamentare dhe të etikës në komunikimin politik.
Në një postim në rrjetet sociale, Rama shkruan se “83 mandatet e 11 majit për ne janë edhe një detyrim për të respektuar zgjedhësit e palës tjetër, duke u dhënë përfaqësuesve të tyre të gjithë hapësirën për të folur”, por paralajmëron se çdo shkelje e kufirit etik, që përdor dhunë fizike, zhurmë ose sharje, do të çojë në procesin e votimit dhe përfundimin e parakohshëm të seancës.
Kryeministri gjithashtu përmendi fillimin e legjislaturës së re, duke e përshëndetur fjalën e parë të Diellës në Kuvend, dhe shprehu bindjen se brenda vitit të parë të legjislaturës ajo do të jetë edhe fizikisht e pranishme në tryezën e qeverisë.
Rama nënvizoi se respektimi i kufirit etik është standardi i çdo parlamenti të Bashkimit Europian, duke siguruar hapësirë të papenguar për opozitën në sallën e Kuvendit dhe komisionet parlamentare.