
Seanca e parë e legjislaturës së re parlamentare, e cila u mbyll me tensione të forta mes opozitës dhe mazhorancës, ka marrë edhe reagimin e kryeministrit Edi Rama.
Përmes një postimi në rrjetin social **X (ish-Twitter), Rama zgjodhi të ironizojë sjelljen e opozitës dhe të kreut të saj Sali Berisha, duke iu referuar ministrës virtuale të sapo prezantuar, Diellës.
“Humbës nuk është kush rrëzohet, po është ai që gërmon aty ku ra! Si i bëhet, e pyeta? Kurrë mos e pengo kundërshtarin që po gabon”, shkruan Rama, duke shtuar një emoji ironik në fund të mesazhit.
Seanca e sotme u karakterizua nga përplasjet e ashpra të opozitës, që akuzoi qeverinë për manipulim dhe mungesë transparence, ndërsa mazhoranca vijoi procesin e betimit të deputetëve dhe miratimit të procedurave të para.
Postimi i kryeministrit shihet si një mesazh politik ndaj sjelljes së opozitës, duke nënvizuar se gabimet e kundërshtarit duhen lënë të ekspozohen vetë.