Policia e Shtetit, në bashkëpunim me agjencitë ligjzbatuese amerikane pranë Ambasadës së SHBA në Tiranë dhe Prokurorinë e Tiranës, ka finalizuar operacionin policor të koduar “Rrjeti”, duke vënë në pranga tre persona të dyshuar për kontrabandë të qenieve njerëzore.

Të arrestuarit janë shtetasit H. M., 58 vjeç, L. M., 58 vjeç dhe C. N., 62 vjeç, të cilët dyshohet se kishin ngritur një skemë kriminale për dhënie ndihme në kalim të paligjshëm të kufirit, kryesisht drejt Kanadasë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Sipas hetimeve disa mujore, i dyshuari kryesor H. M., në bashkëpunim me persona të tjerë, përmes sigurimit të dokumenteve të falsifikuara, ka kontrabanduar shtetas shqiptarë nga Shqipëria drejt vendeve të BE-së, më pas në ishujt e Karaibeve dhe në destinacionin final Kanada e SHBA. Ai dyshohet se përfitonte shuma nga 20 deri në 35 mijë dollarë për çdo person.

Gjatë operacionit, autoriteteve iu bë e mundur sekuestrimi i shumave të mëdha parash cash, dokumenteve të udhëtimit të falsifikuara dhe provave të tjera në funksion të hetimit.

Policia e Shtetit falënderoi Prokurorinë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë dhe partnerët amerikanë të DSS/OCIU pranë Ambasadës së SHBA, për bashkëpunimin e ngushtë me agjencitë homologe në Kosovë, Republikën Domenikane, Mbretërinë e Bashkuar, Spanjë dhe Itali.

Hetimet vijojnë për të dokumentuar plotësisht këtë veprimtari kriminale dhe për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu