Policia e Shtetit ka bërë të ditur masat e posaçme të sigurisë për ndeshjen ndërkombëtare “Shqipëri – Letoni”, që do të zhvillohet më 9 shtator 2025, në orën 20:45, në stadiumin “Arena Kombëtare” në Tiranë.

Sipas njoftimit, plani i masave përfshin:

  • Shoqërimin dhe sigurimin e ekipeve të të dy vendeve, nga momenti i mbërritjes deri në largim;

  • Kontroll të imtësishëm të stadiumit dhe hapësirave përreth përpara hyrjes së tifozëve;

  • Organizimin e shërbimeve të rendit publik para, gjatë dhe pas ndeshjes, në stadium dhe në të gjithë qytetin;

  • Sigurimin e rrugëkalimeve të emergjencës dhe menaxhimin e trafikut rrugor;

  • Vendosjen e kufizimeve të qarkullimit nga ora 17:00 në disa akse rrugore pranë stadiumit.

Policia ka përcaktuar edhe hapësirat e parkimit për tifozët që vijnë nga qytete të ndryshme, ndërsa ka paralajmëruar kontrolle të rrepta për të ndaluar hyrjen e sendeve të ndaluara si fishekzjarrë, flakadanë, banderola me përmbajtje raciste, monedha metalike, çakmakë apo mjete të forta.

Gjithashtu, është paralajmëruar ndalimi i ngritjes së dronëve në perimetrin e sigurisë, me përdorimin e pajisjeve anti-dron.

Policia kujton se Kodi Penal parashikon gjoba dhe deri burgim për hyrjen e paautorizuar në fushë, përdorimin e lëndëve piroteknike dhe aktet e dhunshme ndaj sportistëve, arbitrave apo tifozëve.

Një apel i veçantë është bërë për mos-publikimin e biletave në rrjetet sociale, pasi ato mund të dublikohen dhe të përdoren në mënyrë të paligjshme. Çdo biletë është personale dhe kalon në skaner për verifikim.

Në fund, Policia e Shtetit u ka bërë thirrje tifozëve dhe qytetarëve që të bashkëpunojnë për mbarëvajtjen e aktivitetit dhe të denoncojnë çdo rast paligjshmërie në numrin 112, duke siguruar se qindra forca policore do të jenë në terren për garantimin e rendit dhe sigurisë.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu