
Numri i viktimave nga tërmeti i fuqishëm që goditi Afganistanin lindor është rritur mbi 800, njoftoi zëdhënësi i qeverisë së talibanëve në një konferencë për shtyp në Kabul. Shumica e viktimave janë në provincën malore Kunar, një nga zonat më të goditura.
Tërmeti me magnitudë 6.0 goditi të dielën vonë, 27 kilometra në verilindje të qytetit Jalalabad, në një thellësi vetëm 8 km, sipas Shërbimit Gjeologjik të Shteteve të Bashkuara (USGS). Lëkundjet u ndjenë deri në kryeqytetin Kabul dhe në disa rajone të Pakistanit fqinj.
View this post on Instagram
Autoritetet afgane raportojnë se të paktën 800 persona kanë humbur jetën dhe 1,300 janë plagosur në provincat Kunar dhe Nangarhar. Një numër i madh banesash janë shkatërruar, ndërsa rrëshqitjet e dheut dhe rrugët e dëmtuara po pengojnë ekipet e shpëtimit.
Pamje të shpërndara nga Reuters tregojnë të plagosur që transportohen me helikopterë drejt spitaleve në Jalalabad, ku dhjetëra persona po marrin trajtim mjekësor.
Zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë, Sharafat Zaman, tha se për shkak të terrenit të vështirë, ekipet e shpëtimit ende po përpiqen të arrijnë në komunitetet më të izoluara. Pasgoditje të shumta, përfshirë një me magnitudë 5.2, kanë tronditur rajonin, duke rritur frikën e banorëve.
Talibanët thonë se forcat e sigurisë dhe vullnetarët lokalë po angazhohen në operacionet e shpëtimit, ndërsa ekipe të tjera nga Kabuli janë nisur drejt zonave të prekura. “Të gjitha burimet e mundshme do të përdoren për ndihmën dhe shpëtimin e njerëzve,” shkroi në X zëdhënësi Zabihullah Mujahid.
OKB ka shprehur ngushëllime për viktimat dhe ka njoftuar se po dërgon ndihma emergjente. Ngjarja ndodh ndërsa Afganistani ndodhet në krizë të thellë humanitare dhe mungesë ndihmash ndërkombëtare.
Afganistani ka një histori të gjatë tërmetesh shkatërrimtare. Në tetor 2023, mbi 2,000 persona humbën jetën nga një tërmet me magnitudë 6.3 në perëndim të vendit.