
Ish-presidenti amerikan Bill Clinton, 79 vjeç, ka ngjallur sërish shqetësime për gjendjen e tij shëndetësore, pasi u fotografua në aeroportin e Hamptons duke mbajtur një pajisje mjekësore që duket të jetë një defibrilator portativ. Pamjet e shpërndara nga mediat amerikane tregojnë Clinton-in së bashku me bashkëshorten e tij, Hillary Clinton, dhe agjentët e Shërbimit Sekret, teksa përgatitej të udhëtonte me një avion privat.
Sipas raportimeve, pajisja e identifikuar ngjan me një Propaq MD Air Medical Bag, një monitor i transportueshëm që përdoret nga profesionistët e emergjencës dhe që përfshin edhe funksionin e defibrilatorit për ndërhyrje në raste urgjente kardiake. Ky detaj ka ngritur shumë pikëpyetje mbi gjendjen e vërtetë shëndetësore të ish-presidentit.
Clinton ka një histori të gjatë problemesh kardiake. Në vitin 2004 ai iu nënshtrua një operacioni të bypass-it katërfishtë, ndërsa një vit më vonë pësoi kolaps të mushkërisë si pasojë e ndërhyrjes. Në vitin 2010 iu vendosën stentë pas dhimbjeve në kraharor, ndërsa në vitin 2021 u shtrua me urgjencë në spital për shkak të një infeksioni urologjik që kaloi në sepsë. Më herët, në dhjetor të vitit 2024, Clinton u trajtua në një spital të Georgetown për ethe, por u lirua pas një dite.
Edhe pse është shfaqur më i dobësuar fizikisht, Clinton ka vijuar të jetë aktiv në jetën publike, përmes Clinton Foundation, mbledhjeve të fondeve dhe madje edhe promovimit të një romani politik të shkruar së bashku me autorin James Patterson.
Deri më tani, as Clinton dhe as përfaqësuesit e tij nuk kanë dhënë një deklaratë zyrtare mbi arsyen e mbajtjes së pajisjes mjekësore, duke lënë hapësirë për spekulime mbi gjendjen e tij aktuale shëndetësore.
–